Policia turke ka nisur një superoperacion mëngjesin e së mërkurës për arrestimin e 235 personave si pjesë e një strukture të organizuar kriminale të drejtuar nga kontroversi Adnan Oktar, i njohur ndryshe edhe si Harun Jahja.

Në kuadër të operacionit të shtrirë në 5 provinca, të mbështetur nga helikopterë dhe anije policore, deri më tani janë arrestuar 79 persona, përfshirë drejtuesin Oktar i cili u vu në pranga në vilën e tij në Cengelkoy të Stambollit.

Kjo organizatë kriminale akuzohet për vepra të rënda penale, përfshirë krim të organizuar, abuzim seksual me fëmijët, marrëdhënie seksuale me të mitura, rrëmbime, evazion fiskal dhe shkelje të ligjit kundër terrorizmit.

106 nga 235 personat për të cilët është lëshuar urdhër-arrest janë femra, shumë prej të cilave njihen si "kotelet" e Oktar. Sipas "AA", i akuzuar kryesor është pronari i televizionit "A9", ku drejton emisione në të cilat shfaqet i rrethuar nga të rejat gjysmë të zhveshura të cilat i quan "kotele". 

Në këto emisione Oktar debaton për tema të ndryshme shoqërore, përfshirë edhe vlera dhe parime fetare, ndërsa “kotelet” e mbulojnë me lëvdata. "Haberturk" ka publikuar edhe fotot e disa prej "koteleve" më të famshme që kanë shoqëruar Oktar në programet televizive.