Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump nuk do të takohet me udhëheqësin e Koresë së Veriut Kim Jong Un muajin e ardhshëm në atë që ishte cilësuar si samiti historik. Lajmi u bë i ditur me anë të një letre që Shtëpia e Bardhë i dërgoi Kim Jong Un sot në mëngjes, raporton CNN.

"Duke u bazuar në zemërimin e madh dhe armiqësinë e hapur të shfaqur në deklaratën tuaj të fundit, unë mendoj se është e papërshtatshme, në këtë moment, që të zhvillojmë këtë takim të planifikuar prej kohësh", shkruan Trump.

Sipas mediave ndërkombëtare, kjo lëvizje e presidentit amerikan vjen për faktin se zv/ministri i Jashtëm i Koresë së Veriut fyeu zv/Presidentin amerikan Mike Pence për deklaratat e tij se “Koreja e Veriut mund të përfundojë si Libia”.