Një oficer dhe një ushtar i Forcave të Armatosura Helenike u arrestuan nga turqit të enjten, sipas informacionit të siguruar nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë.

Sipas raportimeve, një patrullë ushtarake prej dy anëtarësh të Ushtrisë greke, gjatë patrullimit rutinë në kufi në zonën e Pullit Kastania në zonën e lumit Evros, dyshohet se kaloi në pjesën turke të kufirit për shkak të kushteve të këqija të motit dhe u arrestua nga një patrullë turke.

Në zonën e Kastanias ka një pjesë kufiri tokësor mes Greqisë dhe Turqisë, ndërsa pjesa tjetër e kufirit mes dy vendeve shënohet nga lumi Evros. Ndërkohë, gazeta “Protothema” raporton se mes Greqisë dhe Turqisë kanë nisur negociatat për rikthimin e dy ushtarëve grekë.

Sipas informacioneve të deri më tanishme të medias greke, ushtarët janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe janë transferuar në Adrianople në pritje të procesit në vazhdim.

Tensioni mes Greqisë dhe Turqisë mbetet i lartë për shkak të mosmarrëveshjeve për ishujt në Egje.