Nga Artur Zheji

Qeveria e re, është tashmë një realitet. Me disa pak përjashtime, qeveritarët e rinj, apo drejtorët e rinj që pritet të kapin dhe zenë vendet kyçe të “gubernës” shqiptare, kanë kryesisht një tipar të përbashkët.

Kanë fare pak ose aspak rekorde të karrierës, të studimeve, të përvojave menaxheriale, në shtet apo në kompani private. Por kanë shumë ose edhe më shumë se shumë, rekorde, të gatishmërisë dhe të gojë-ëmbëlsisë, ndaj kryeshefit kryeministër, që rri hypur mbi mushkën e pushtetit.

Ata, me disa pak përjashtime, janë porositur të mos flasin, por të përsërisin pa pushim: “rroftë kryeministri!” në 1001 mënyrat nga më të ndryshme. Dhe u ka dalë mirë “për besë!”.
Në Shqipëri ka kohë dhe kjo nuk është meritë veçse e Ramës, që të jesh “dele”, bën karierë dhe fiton besimin dhe dashurinë e “dashit kryeministër”.

Të lejohet te ushqehesh gjithë ditën, të krehësh si të duash dhe të bësh permanent leshin dhe leshrat, të ndryshosh seksin në se do, të hollosh zërin (kjo është fort e këshillueshme për një rrugë sa më të gjatë në administratë), por mbi të gjitha qumështin e prodhuar duhet ta derdhësh në kazanin e përbashkët, sipas udhëzimeve të pashkruara të cilat zbatohen përpikmërisht.

Duke njohur vështirësinë e burrave, për të ndryshuar seksin dhe për të holluar zërin, kryeministri ka angazhuar më shumë femra në qeveri dhe në “komandën e përgjithshme të gubernës”.
Kryeministri si “gjitholog”, (njeri ky i veçantë që vendos dhe flet për të gjitha edhe sepse nuk i di të gjitha), është tanimë një bari që me stapin e tij dhe fërshëllimën që e ka modernizuar nëpërmjet “sms”-ve, shtyn përpara drejt kullotave të reja grigjën e deleve drejt fitorjeve të reja. (E dashur redaktore mos ma korigjo këtë “drejt fitorjeve” të reja, sepse ky është shumësi fitore-fitorje, që përdorte bariu Enver, shpirtndrituri i dikurshëm dhe themeluesi i dinastisë së barinjve shqiptarë, që nuk shuhet kurrë. Dhe që s’do të shuhet kurrë!)

E pra, meqë e kryeshefi e përdor rëndom në gojtarinë e tij pjellore dhe të ndritshme, që ne shqiptarët dhe Shqipëria, jemi veçse një fshat dhe asgjë më tepër dhe unë jam dakort me këtë përcaktim, që ay, vërtet e ka huazuar nga të tjerë, por e përdor saktë, krahasimi me dele dhe barì, shkon e puthet e përputhet bukur shumë, me çobanërinë ku jetojmë.

Dhe hatëri të mos i mbetet askujt që lëçit këtë shkrim vjeshte, sepse delja është vërtet një pasuri e jetës, na jep qumështin dhe leshin dhe e ka për detyrë t'i bindet vetëm dashit dhe bariut, që e mbron nga ujku dhe ujqërit e jetës, pamvarsisht se i merr hera-herës ndonjë qingj për ta shkuar në hell.

Tani e tutje, si e dhe e pamë në këtë qeveri të re, asgjë vërtet e re nuk po ndodh, përveçse delëzimit të mëtejshëm të administratës dhe për këtë, edhe ne, banorët e “Kazan”-istanit mediave, të mbyllim gojën dhe të sodisim këtë pesazh që na ka dhuruar vetë Zoti. 

Dhe të mos e shqetësojmë bariun, edhe kur kopeja shkon në rrëpira, apo buzë greminës, sepse ai mund të na mërzitet dhe na e braktis kopenë dhe kështu na merr të gjithëve lumi… lumi i fshatit tonë. Një lumë që të mbyt vërtet. /360grade.al/