Edhe pse jemi në mars është rritur interesi për të investuar në bregdet. Agjencitë e pasurive të paluajtshme tregojnë se të huajt, kryesisht nga vendet nordike, po kërkojnë që të blejnë një shtëpi të dytë në bregdet.

Saranda është një nga qytetet më të kërkuara. Shqipëria, falë pozicionit gjeografik, por edhe kostove të lira të jetesës, po josh të huajt…

Nga Ledina Loga

Mia Gahne udhëtonte e vetme në qershor të 2017-s përgjatë Rivierës Shqiptare. Pas viteve të gjata të punës si gazetare, Mia, tashmë në pension, po mendonte për pushimet afatgjata, larg Norvegjisë, shtetit të saj amë, që është i ftohtë dhe pa diell. Gjatë verës së 2017-s, ajo nisi një tur në vendet e Ballkanit për të parë mundësitë e blerjes së një prone.

Pas Korfuzit, ajo qëndroi në Sarandë. E nxitur prej fjalëve të miqve të saj se në Shqipëri me vetëm 30 mijë euro mund të blije një shtëpi në një vend me bregdet shkëmbor, me një sezon veror që zgjat më shumë se tre muaj dhe kosto të lirë jetese, ajo ishte nisur drejt Sarandës për të blerë shtëpinë e pleqërimit.

E magjepsur pas natyrës, Mia tha se e shikonte Sarandën si vendin më të mundur për të bërë investimin. “Saranda është shumë pranë Korfuzit, Italia është gjithashtu pranë, nëse dua mund të shkoj të vizitoj edhe Malin e Zi apo Kroacinë, dhe të kem një shtëpi timen për vetëm 30 mijë euro”, – tha ajo për “Monitor”, kur u pyet se përse po zgjidhte pikërisht Sarandën.

Megjithatë, ajo tha se vendi ka vend shumë për përmirësim në shërbim dhe solli si shembull Korfuzin, destinacionin e saj të parë.
“Ju jeni kaq afër dhe ndryshoni kaq shumë për sa i përket shërbimit, në rast se nuk dini, të paktën mund të kopjoni mënyrën e tyre të shërbimit” – tha Mia Gahne kur u pyet se çfarë nuk i kishte pëlqyer gjatë qëndrimit në Sarandë.

Këtë vit, Mia po përgatitet që të rikthehet në Sarandë dhe të përfundojë transaksionin e blerjes së shtëpisë.
Saranda është kthyer në një destinacion të preferuar për turistët e huaj, veçanërisht nga Europa e Veriut, të cilët të joshur prej çmimeve të ulëta për sa i përket standardit të tyre po zgjedhin Sarandën për të blerë një shtëpi të dytë në bregdet.

Zgjohet interesi tek të huajt

Eron Çumari nga agjencia e pasurive të paluajtshme “Saranda Invest Property”, që merret kryesisht me pronat e Jugut, tregon se falë pozicionit gjeografik, për Sarandën ka interesim nga shtetasit ndërkombëtarë për të investuar në pasuri të paluajtshme (kryesisht banesa).
Shqipëria tërheq kryesisht turistë që nuk kërkojnë të shpenzojnë shumë gjatë pushimeve. Sipas zotit Çumari, Saranda fillimisht u zbulua nga pushuesit që vinin të organizuar nga agjencitë e huaja, në bashkëpunim me agjencitë vendase.
“Duke iu referuar klimës shumë të veçantë që ka Jugu i Shqipërisë dhe kostos së jetesës, u rrit interesimi për të blerë banesa nga shtetas të huaj, veçanërisht individët që kanë dalë në pension”, – tregoi Çumari për “Monitor”.

Sipas zotit Çumari, një tjetër kategori blerësish janë ata të cilët e shikojnë si investim të mundshëm blerjen e një prone në bregdet për të përfituar nga rritja e çmimeve dhe sidomos për t’i dhënë me qira gjatë sezonit turistik, gjë që gjeneron të ardhura të konsiderueshme për individët.

Edhe pse kërkesat për pasuri të paluajtshme prej të huajve janë përqendruar kryesisht në Jug të Shqipërisë, Xheni Jahja nga “Tirana Real Estate”, thotë se nuk kanë munguar kërkesat nga turistë të huaj edhe për Durrësin. Sipas saj, interesim të madh po tregojnë dhe shqiptarët e diasporës, të cilët jetojnë kryesisht në vendet e Europës Perëndimore, si Gjermania. Kërkesat kanë qenë në vlera ekonomike, individët kanë shfaqur interes për të investuar në shuma jo të mëdha. Inxhiniere Xheni Jahja shprehet optimiste për tregun, edhe pse shton se çmimet nuk kanë pasur luhatje nga një vit më parë.

Kohët e fundit është rritur interesi edhe nga polakët, bullgarët dhe ukrainasit, të cilët, pasi e kanë vizituar Shqipërinë si turistë, kërkojnë që të blejnë një apartament në një nga zonat bregdetare të Shqipërisë.
Sipas portalit Numbeo, nga të gjitha vendet bregdetare të rajonit, Shqipëria ka kostot më të ulëta të jetesës. Kroacia dhe Greqia kanë një indeks më të lartë se 50, ndërsa Shqipëria e ka këtë indeks 37.8, duke u renditur 35 nga 40 vendet e Europës.

Indeksi i kostove të jetesës është një tregues relativ i çmimeve të mallrave të konsumit, duke përfshirë ushqimet, restorantet, transportin dhe shërbimet. Indeksi i kostos së jetesës nuk përfshin shpenzimet e akomodimit si qiraja ose hipoteka. Nëse një qytet ka një Indeks të Kostos së Jetës prej 120, kjo do të thotë se Numbeo vlerëson se është 20% më e shtrenjtë se Nju Jorku (me përjashtim të qirasë).

Problem, çështjet e pronësisë

Fabjan Resulaj nga agjencia e pasurive të paluajtshme “FF Imobiliare” tregon se ka pasur interesim nga të huajt jo vetëm për shtëpi në bregdet, por edhe për të investuar në troje, veçanërisht në zonën e Porto Romanos. Megjithatë, shpreson që ky interesim të finalizohet si transaksione.

Resulaj thotë për “Monitor” se ngërçi kryesor në segmentin e pasurive të paluajtshme në bregdet mbetet mbyllja e hipotekave në ndërtim. Sipas tij, e mira do të ishte që të kishte një sistem menaxhimi të pallateve nga bashkitë e qyteteve bregdetare, në mënyrë që edhe vlera e pronave të rritej. Në të njëjtën kohë të rriten lehtësitë që një turist i huaj kërkon kur vendos që të investojë për një shtëpi të dytë në bregdet.
Mungesa e hipotekave të apartamenteve, por edhe e dokumentit të pronësisë për tokat, është një nga pengesat kryesore që step të huajt për të investuar në Shqipëri.

Një tjetër problem që përmend Eron Çumari i agjencisë “Saranda Invest Property” janë standardet në cilësinë e ndërtimit dhe përfundimi në kohë i objekteve sipas kontratave prenotuese për blerje.
Certifikimi i banesave është një problem serioz në shumë raste, shprehet ai. Mungesa e rregullatorit, qofshin shoqëri ndërtimi apo individë, në shumë raste braktiset objekti, nuk përfundohet, nuk hipotekohet dhe këta nuk penalizohen për mosrespektimin e atyre kontratave që kanë lidhur me blerësit,- shtoi ai.

Çmimet në varësi të zonave

Sipas agjencive kryesore që merren me pasuritë e paluajtshme në bregdet, çmimet për apartamentet, vilat, por edhe trojet nuk kanë ndryshuar. Sigurisht në çmim ndikojnë pozicioni, standardi dhe cilësia e ndërtimit, por nga të dhënat e mbledhura nga agjencitë e pasurive të paluajtshme, në qytetin e Sarandës, çmimet fillojnë nga 550-600 € m/² në zonat periferike të qytetit, 700-800 € m/² në qendër të qytetit, dhe 800-900-1000-1100 € m/² në bregun e detit.

Në Gjirin e Lalëzit, çmimet e apartamenteve variojnë nga 700-950 euro për metër katror, ndërsa çmimet e vilave kanë një çmim mesatar në 1500 euro.
Në Durrës, tregu vijon të mbetet në stanjacion, ndërsa çmimet duket se kanë prekur dyshemenë. Në Shkëmbin e Kavajës mund të gjesh oferta që fillojnë nga 290 euro për metër katror. Zona e Golemit mbetet disi më elitare, çmimet mesatare të apartamenteve luhaten nga 550 – 650 euro. Ndërsa ofertat për shitjen e vilave në Golem nuk mungojnë. Sipas të dhënave të mbledhura nga agjencitë e pasurive të paluajtshme, çmimet e vilave në Golem variojnë nga 950 – 1600 euro për metër katror.

Në Qerret, çmimet mesatare të apartamenteve janë nga 550 – 700 euro për metër katror. Në Jug, çmimet janë më të larta. Në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë, çmimet për metër katror të apartamenteve fillojnë nga 700 deri në 900 euro. Në Qarkun e Vlorës, oferta më e lirë vijon të mbetet Orikumi, ku mund të gjesh apartamente edhe me 450 euro për metër katror. Pas Llogorasë, çmimet janë më të shtrenjta. Oferta në Himarë për apartamentet varion nga 650 euro për metër katror deri në 1100 euro për apartamentet më pranë detit. Vilat në Himarë, kanë një çmim mesatar prej 1500 eurosh.
Dhërmiu mbetet ndër destinacionet më të shtrenjta të Jugut. Çmimet mesatare të apartamenteve luhaten në vlerën e 2000 eurove për metër në katror, ndërsa vilat në rreth 2500 euro për metër katror.

Vilat e preferuara nga shqiptarët, pak interes për apartamentet

Ndryshe nga apartamentet, që po pëlqehen kryesisht nga të huajt, kërkesa për vilat po vjen kryesisht nga shqiptarët dhe shqiptarët e trojeve. Klodiana Ajazi, menaxhere e shitjeve e “Green Coast”, pohon se në tre vitet e fundit zona e Jugut ka pasur një tendencë zhvillimi. Megjithatë, kërkesa për vila ka qenë kryesisht nga vendasit.

Të huajt e shikojnë Shqipërinë si vend me standard të ulët jetese. Kategoria e turistëve të huaj që po tërhiqen nga Shqipëria nuk kërkojnë luks dhe janë kryesisht të prirë nga turizmi i aventurës. Ndërsa për sa u përket vendasve, ata janë bërë më kërkues në lidhje me standardet që kërkojnë. Individët nuk duan thjesht një shtëpi të dytë pranë detit. Ata kërkojnë kushte të mira dhe për këtë arsye, në përgjithësi, kërkesat për shtëpi në bregdet janë të përqendruara në komplekset turistike, kryesisht fshatrat turistikë.

/MONITOR/