Mbi 327 mijë ton mallra për eksport dhe import janë përpunuar në kalatat e portit vetëm gjatë muajit korrik të këtij viti.

Eksportet me anije dhe tragete nga Durrësi drejt porteve të tjera kanë shënuar një rritje prej 26 përqind krahasuar me korrikun e vitit të kaluar , duke arritur shifrën 122.196 ton mallra. Ndërkaq importet me një rritje prej 15 përqind, kanë regjistruar shifrën prej mbi 205 mijë ton mallra të ndryshme.

Sipas të dhënave të sektorit të Statistikave të APD, tragetet gjatë muajit korrik të vitit 2017 kanë transportuar 74.265 ton mallra të ndryshme, ose 12 përqind më shumë se sa e njejta periudhë e vitit të kaluar. Sasia e mallrave të përpunuara për anijet është 22 përqind më e lartë se sa muaji korrik 2016, dhe arrin në 252.643 ton gjithsej.

Gjatë periudhës janar-korrik të këtij viti, anijet dhe tragetet kanë transportuar mbi 2.1 milion ton mallra të ndryshme, duke shënuar një rritje prej 9 përqind, krahasuar me të njejtën periudhë të vitit 2016.