Të gjithë tatimpaguesit subjekt i tatimit të thjeshtuar mbi fitimin duhet që brenda datës 12 shkurt të dorëzojnë deklaratën vjetore për periudhën tatimore të lidhur me vitin kalendarik 2017.

Sipas ligjit “Për sistemin e taksave vendore”, kjo deklaratë vjetore duhet të dorëzohet nga tatimpaguesit, subjekt i tatimit të thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël, me qarkullim nga pesë deri në tetë milionë lekë, ku të jepen hollësisht të ardhurat gjithsej, shpenzimet e zbritshme, fitimi i tatueshëm, tatimi për t’u paguar, si dhe çdo hollësi tjetër e përcaktuar me udhëzim të ministrit të Financave për plotësimin dhe dorëzimin e deklaratës tatimore vjetore.

Detyrim kanë edhe të gjithë tatimpaguesit e tatimit të thjeshtuar mbi fitimin me qarkullim vjetor nga 0 (zero) deri në 5 (pesë) milionë lekë. Këta tatimpagues e plotësojnë këtë deklaratë sipas mënyrës së përcaktuar në udhëzimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë.

Administrata tatimore përmes një njoftimi për shtyp këshillon tatimpaguesit të plotësojnë korrektësisht dhe në afat këtë deklaratë vjetore për të shmangur penalitetet administrative.

Tatimpaguesit mund t’i drejtohen sporteleve të shërbimit ndaj tatimpaguesve në të gjithë vendin ose të telefonojnë në numrin pa pagesë të qendrës së thirrjeve 0800 00 02 për informacion dhe asistencë lidhur me plotësimin dhe dorëzimin e kësaj deklarate.