Ministri i financave shqiptare Arben Ahmetaj, në një takim me gazetarët, ka thënë se skema e TVSH që përfshin bizneset e vogla, është një hap i rëndësishëm në luftën ndaj informalitetit.

Ai ka theksuar se nuk do të ketë gjoba për deklarim të gabuar, pasi sipas tij kjo reformë nuk ka në fokus të gjenerojë të ardhura nga biznesi i vogël, por ka në fokus saktësimin e deklarimeve të biznesit të madh.

"Fokusi është te biznesi i madh, është te qartësia e transaksionit për të mbledhur më shumë TVSH nga biznesi i madh. Nuk do të ketë gjoba për bizneset e vogla për gabime në deklarim deri në 31 dhjetor 2018 dhe janë angazhuar shumë sportele specifike për asistencë për bizneset e vogla, gjatë këtij procesi."

Sakaq, ai i ka dërguar një mesazh biznesit të vogël, të cilët kanë paralajmëruar protestë mesditën e sotme, duke ulur qepenat për një orë kundër përfshirjes në skemën e TVSh-së.

"Secili është i lirë të hapë apo mbyllë qepenat, por vazhdoni të bëni punë tuaj për veten dhe familjen. Mos u bëni pre e politikës së tyre. Mos harroni që ju kanë gjobitur, ju kanë ngarkuar me 1.5 % të xhiros, dhe 10 % taksën e sheshtë. Ndërsa kjo qeveri është kujdesur për lehtësimin e barrës fiskale. Kjo qeveri ju hoqi taksën e sheshtë. Dje opozita ju premtoi se do t’u kthente 10 përqindëshin, dhe ju e dini se kjo taksë ju rrënoi të gjithë juve."