Bankat kanë shtrënguar kushtet e miratimit të kredisë si për bizneset dhe për individët. Në raportin e vrojtimit të aktivitetit kreditues, Banka e Shqipërisë raporton se kredia në të gjithë sektorët është bërë më e vështirë.

Standardet e huasë për blerje banese dhe konsumi rezultojnë më të shtrënguarat që prej vitit 2014, ndërsa bankat janë shprehur në pyetësor se pritet që në muajt e ardhshëm të ketë edhe një rritje të normave të interesit për kredinë e re.

Shkaku kryesor për rënin e kredisë për shtëpi është situata në tregun e pasurive të patundshme dhe gjendja financiare e individëve.

Ndërsa për biznesin kredia është shtrënguar në segmentin e ndërmarrjeve të mesme e të vogla, ku shkak kryesor është evidentuar raporti i kredive me probleme.

Bankat presin që në tre muajt e ardhshëm të ketë një ngadalësim të aktivitetit kreditues dhe rritje të interesave si për huatë në valutë, edhe për ato në monedhën kombëtare.

Gjatë raportimit në Komisionin e Ekonomisë, guvernatori Gent Sejko pranoi se nisma për pranimin e vetëm një bilanci nga bankat për kredimarrësit, do të kishte efekte në kredinë e re, por ai e cilësoi vendimin të domosdoshëm për formalizimin e ekonomisë. /Tv Klan