Dollari amerikan arrin majat edhe në tregun vendas. Sot monedha amerikane është kuotuar në nivelin e 110.29 lekëve, duke njohur rekordin më të madh të të gjithë vitit.

Ekspertët e ekonomisë e lidhin këtë dukuri me ndikimin e drejtpërdrejtë të forcimit të Dollarit në bursa, i cili në ditët e fundit ka mposhtur me disa pikë Euron, ndërsa ka dobësuar ndjeshëm lirën turke.

Po përse është reflektuar kaq shpejt në tregun vendas forcimi i monedhës amerikane? Arsyet që besohen më shumë nga ekonomistët, janë lidhja e fortë e ekonomisë sonë me atë turke dhe kërkesa për valutë amerikane në treg nga importuesit e naftës.

Javën e shkuar, Presidenti amerikan njoftoi rritjen e tarifave doganore për aluminin dhe çelikun, duke prekur drejtpërdrejt eksportet e Turqisë dhe monedhën e saj. Sot në tregun e brendshëm Leku ka humbur pikë ndaj të gjitha monedhave të tjera.