Rreth dy miliardë euro do të duhet të investojë Shqipëria në sektorin e energjisë elekterike për dekadën e ardhshme, dhe të gjitha këto para do të jepen nga buxheti i shtetit.

Sipas strategjisë së energjisë, të miratuar nga qeveria, ky është njëri prej skenarëve, ndërsa tjetri ka një kosto investimesh që deri në 2030-ën llogaritet në mbi 2,5 miliardë euro.

Në të dy skenarët, pjesa më e madhe e parave, rreth ¾-tat do të shkojnë për prodhimin e energjisë elektrike, kurse shpërndarja dhe transmetimi do të kenë një mbështetje më të vogël.

Ndërkohë investimet në të gjithë sektorin e energjisë, ku futen dhe hidrokarburet, shkojnë në rreth 5,5 miliardë euro. Por ndryshe nga energjia elektrike, për naftën dhe gazin natyror, investimet do të jenë private.

Sipas strategjisë Shqipëria deri në 2030-ën duhet të kursejë 15% të energjisë që përdor. Ulja e gazrave serrë është parashikuar me 11,5%, ndërsa përdorimi i gazit natyror duhet të kapë 20% në totalin e burimeve të energjisë. /tch