Monedha e përbashkët ka nisur javën duke u çmuar në tregun vendas. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro është këmbyer sot me 127.27 lekë. Krahasuar me fundin e javës që lamë pas monedha e përbashkët europiane ka fituar 0.33 pikë përkundrejt lekut vendas.

Pas ditësh me rënie të fortë në vend, ku euro kapi nivelin më të ulët të këmbimit që prej fillimit të shkurtit të vitit 2009, duke u këmbyer me 126.86 lekë, euro po rikuperon ndaj monedhës vendase.

Faktor kryesor mbetet valuta e lartë në vend. Ekspertët argumentojnë se trendi në rënie i euros do të vijojë edhe përgjatë sezonit. Oferta në euro, e rritur së fundmi edhe për shkak të turistëve, ka bërë që valuat të luhatet në nivelin më të ulët të dhjetë viteve.

Përveç ofertës së lartë në valutë, një tjetër faktor që po ndikon në luhatjet e kursit të këmbimit valutor në vend janë disa konvertime të mëdha kapitali të bankave nga euro në lekë, çka do të ndikojë në kahun nënçmues të monedhës së përbashkët, ndonëse nuk konfirmohet nëse ato kanë ndodhur aktualisht apo jo.

Edhe në bursë, euro ka qenë e dobët përkundrejt dollarit amerikan, duke u këmbyer poshtë nivelit prej 1.20 USD. /MONITOR