Në tregun e këmbimit valutor, leku ka vijuar të forcojë pozitat këtë javë në këmbim me euron dhe dollarin amerikan.

Monedha e gjelbër amerikane dhe ajo e përbashkët europiane kanë humbur sërish pikë të enjten, në tregun e brendshëm valutor, duke shënuar nivelet më të ulëta në këto tre vitet e fundit, por brenda parashikimeve të Bankës së Shqipërisë.

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, të enjten dollari amerikan u këmbye me 106.70 lekë ose 0.32 lekë më pak se një ditë më parë dhe euro ka humbur 0.26 lekë duke u këmbyer në kuotën e 131.57 lekëve.

Këmbimi valutor vendas vazhdon të reflektojë ecurinë në bursat ndërkombëtare dhe kërkesë oferta vazhdon të orientojë pozitat e këmbimit. Por sipas aktorëve të tregut, forcimi i pozitave të lekut ka ardhur edhe si rezultat i masave që ka ndërmarrë Banka e Shqipërisë për deeurozimin.

Banka e Shqipërisë zbaton një regjim të lirë të kursit të këmbimit.
Vlera e lekut kundrejt valutave të huaja përcaktohet lirisht në tregun e këmbimit valutor. Luhatjet e kursit të këmbimit reflektojnë lëvizjen e lirë të mallrave e të kapitalit në shkëmbimet tregtare dhe financiare të Shqipërisë me partnerët e saj tregtarë.

Pa cenuar regjimin e një kursi të këmbimit të lirë, Banka e Shqipërisë mund të kryejë veprime në tregun valutor me objektiv përshtatjen e kursit të këmbimit me nivelin e përcaktuar nga faktorët bazë makroekonomike, shmangien e çrregullimeve dhe rritjen ose uljen e rezervës valutore.

Banka e Shqipërisë llogarit dhe publikon kursin zyrtar të këmbimit. Ky kurs është një nivel referencë (i vetëm), i cili mund të përdoret nga të interesuarit për qëllime tregtuese, vlerësuese, krahasuese dhe statistikore.

Ekspertët e ekonomisë shpjegojnë se dobësim i euros favorizon kreditoret që kanë marrë hua në këtë valutë, ndërsa sugjerojnë një orientim më të mirë të përdorimit të valutës në raport me lekun. /atsh/

kursi i kembimit