Kompanitë celulare po shkelin hapur kontratat me qytetarët shqiptarë, ndërkohë që institucioni që duhet të ndërhyjë në raste të tilla si “arbitër”, që në rastin konkret është Autoriteti i Komunikimeve Elektronike, hesht si të mos ketë ndodhur asgjë. Në redaksinë e gazetës "SOT" kanë mbërritur ditët e fundit një sërë ankesash nga qytetarë të ndryshëm, të cilët po përballen me disa probleme në lidhje me shërbimin që duhet të marrin nga kompanitë celulare, kryesisht Eagle Mobile dhe Vodafone, me të cilat kanë dhe kontratë.

Qytetarët pohojnë se një problem i madh u është shfaqur prej disa muajsh me bartjen, apo siç njihet ndryshe portabilitetin e numrit nga njëra kompani në tjetrën. Dhe më problematikja këtu është Eagle Mobile. Në kushtet e konkurencës dhe mundësisë për të zgjedhur kompaninë me kushtet më të favorshme, qytetarët kërkojnë ndryshimin e kompanisë së shërbimit por me mundësinë për të mbajtur numrin ekzistues. Por ky largim duket se nuk pritet mirë nga Eagle, me të cilën kanë kontratë, ndaj dhe kjo e fundit ka filluar të nxjerri lloje-lloje artificash penguese, duke e zvarritur procesin për ditë e ditë të tëra, deri në dështim.

Vonesat mendohet se vijnë për arsye të ndryshme, mes të cilave nuk përjashtohen edhe pengesat që nxjerr ky operator. Duke mos pasur interes të humbasi përdoruesit, Eagle duket se po e zvarrit qëllimisht procesin. Në kushte normale, bartja e numrit duhet të kryhet brenda tre ditësh pune, por në fakt, përdoruesit që duan të transferojnë numrin nga kjo kompani në një tjetër po përballen tashmë me vonesa të gjata dhe shpeshherë bartja po dështon. Në disa raste janë dhe vetë përdoruesit që heqin dorë për shkak të zvarritjeve. Një nga argumentet e kompanisë në raste të tilla është mospërputhja mes të dhënave të klientit aplikues me të dhënat me të cilat numri është regjistruar.

Shërbimi i bartjes së numrit ka qenë një nga zhvillimet më të rëndësishme për nxitjen e konkurrencës në tregun e komunikimeve, duke filluar nga viti 2011. Të dhënat statistikore nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, tregojnë se vetëm vitin e kaluar, u bartën afro 151 mijë numra celularë mes operatorëve të ndryshëm.

Shkelje të tjera

Portabiliteti i numrit nuk është problemi i vetëm i kompanisë celulare Eagle Mobile në raport me qytetarët shqiptarë. Këta të fundit ankohen se ndryshimi i kushteve të kontratës pa dijeninë e tyre është gjithashtu një tjetër problem, për të cilin edhe pse janë ankuar pranë AKEP, ende nuk kanë parë ndryshim të situatës, apo ndonjë penalizim kundrejt palës shkelëse.

“Kërkova të bëja ndryshim të planit tarifor për një muaj, ndërkohë që duke bërë këtë, kompania celulare Eaglme Mobile më kishte zgjatur kontratën pa ia kërkuar dhe pa dijeninë time. U ankova dhe prita një përgjigje brenda 2 javëve siç e thotë dhe ligji, por kaluan 2 javë dhe 2 muaj e përgjigja nuk erdhi nga kompania”, pohoi një qytetar për gazetën.

Ndërkohë, një tjetër shton se problem më vete me kompanitë është dhe çështja e faturës. Qytetari shprehet se sipas marrëveshjes, pagesa për faturën mujore duhet të kryhet me datë 20 të çdo muaji, ndërkohë që kompania nuk e ka për gjë të ta kërkojë deri në kërcënim, para këtij afati. Për të gjitha këto, qytetarët nuk kanë hezituar t’i drejtohen AKEP, por ky i fundit duket se nuk ka ndërmend të ushtrojë kompetencat që i jep ligji, duke qëndruar totalisht indiferent karshi problematikave të tilla, jo të vogla për qytetarët. /SOT/