Drejtori i Tatim Taksave në bashkinë e  Durrësit, Luan Dajko, sqaroi në një prononcim për DurrësLajm se tarifa e taksës së pronës do të mblidhet nga fatura e ujit të pijshëm. Pavarësisht se vetëm gjysma e numrit të familjeve kanë paguar taksën e pasurisë, pjesa tjetër e familjeve janë debitorë në bashki. Kjo do të thotë që ato familje që nuk e kanë paguar taksën e pasurisë prej vitit 2011 do të duhet ta paguajnë të plotë.

"Bashkia është duke punuar që të hartohet një regjistër i saktë me të gjithë familjet. Aplikimi i taksës së pasurisë me ligjin e ri, ka shënuar ulje për taksën e pasurisë për biznesin, ndërsa për herë të parë paguajnë edhe njësitë administrative larg Durrësit."

Luan Dajko sqaroi edhe metodologjinë e pagesës  ku bëri me dije se do të paguajë çdo familje dhe biznes sipas metrave katrorë që disponon dhe periudhës së ndërtimit të godinës. Sipas Dajkos, me aplikimin e kësaj takes, bashkia e Durrësit humbet nga të ardhurat e saj 1.5 milionë dollarë.  

Bashkia propozoi uljen e taksë së pasurisë në masën 30% për periferinë e Durrësit, banorët e fshatrave, ish-komunat e bashkitë, por të djathtët dhe LSI-ja nuk e kaluan këtë projektvendim me pretendimi se nuk ishin aspak dakord për aplikimin e taksës së pasurisë në fshat.

Qeveria ka menduar të përjashtojë kategoritë e personave në nevojë kryefamiljarët pensionistë në qytet apo fshat, kur jetojnë vetëm nuk do të paguajnë taksën e banesës.

Edhe ndërtesat e banimit të kryefamiljarëve që trajtohen me ndihmë ekonomike do të përjashtohen nga taksa, ashtu si ndërtesat e banimit që shfrytëzohen nga qiramarrësi me qira të paliberalizuara dhe banesat sociale në pronësi të bashkive.

Më pas, në listën e përjashtimit, të përcaktuar në ligjin e miratuar në nëntor të vitit 2017, janë të gjitha pronat shtetërore që përdoren për qëllime jofitimprurëse, pasuritë shtetërore nën administrimin e shoqërive publike shtetërore, ndërtesat e komuniteteve fetare në funksion të veprimtarisë së tyre, si dhe objektet e kulturës.

Qeveria ka menduar të përjashtojë nga taksa e pronës edhe hotelet/resortet me 4 dhe 5 yje, që marrin “status special” po me vendim qeverie. Kjo masë, sipas saj, është marrë për të stimuluar sektorin e turizmit.

K.H.