Janë të paktën 30 subjekte call center, që operonin në sektorin e telemarketingut, që kanë mbyllur aktivitetin në vitin 2017. Kompaninë u identifikuan pasi “Monitor” i filtroi sipas emrave nga lista e subjekteve totale, që kishin kaluar në status pasiv në periudhën janar-8 nëntor 2017 dhe i kontaktoi për t’i pyetur në lidhje me arsyet që kishin mbyllur aktivitetin.

Numri i kompanive Call Center që janë mbyllur nga fillimi i vitit deri më sot, sipas aktorëve të tregut është më i madh, por i vështirë për t’u identifikuar duke qenë se një pjesë e madhe e tyre janë biznese të vogla të regjistruar si Persona Fizikë.

H & L Communication u çel në fund të gushtit të vitit 2015. Sipas përshkrimit në ekstraktin e QKR, kompania do të shërbente në ofrimin e shërbimeve telefonike nëpërmjet telemarketingut. Subjekti ka kaluar në listën e bizneseve me status pasiv. Administratori i kësaj kompanie, me përvojë në këtë sektor, duke parë potencialin që kishte në Shqipëri ky sektor, mori në administrim tre qendra telefonike në qytetin e Tiranës. Aktualisht operon vetëm njëra prej tyre. Dy të tjerat, njëra prej të cilave punësonte rreth 110 persona, nuk arritën të mbijetonin në treg. Sipas administratorit, shkaqet ishin të shumta, por më kryesori ishte mungesa e fushatave nga shteti fqinj.

Kur u pyet për Call Center që kishte të hapur, ai u shpreh me pesimizëm për “Monitor”. “Nëse situata vazhdon kështu, nuk do të jemi gjatë. Kam bërë investimin e jetës, kam kredi. Po më duket sikur po më marrin punën nga duart”,- tha ai kur u pyet se si e shikonte situatën në vijimësi.

Edhe Universal Call, qendër telefonike, me zyra në Bulevardin Zogu I, është një ndër subjektet e reja të listës së bizneseve që kanë kaluar në status pasiv në Tatime. Erion Nushi, administrator i kompanisë, tregoi për “Monitor” se e mbylli biznesin pasi nuk ka më aktivitet. Universal Call u regjistrua si biznes në tetor të 2013-s. Sipas zotit Nushi, ecuria ishte shumë e mirë për rreth një vit e gjysmë, por më pas ata nuk arritën të lidhnin kontrata për të sjellë fushata marketingu nga kompanitë italiane të marketingut.

Edhe për Kejdi Xhemaj, administratori i një tjetër Call Center në listën e pasiveve, mungesa e kontratave me italianët u bë shkak falimentimi.

“Nuk po siguroja më kontrata, falimentuam pas një viti, – tha ai kur u pyet për shkaqet e mbylljes. AID Communication ishte gjithashtu një nga qendrat telefonike që kaluan në statusin pasiv. Roland Ziu, administrator, tregoi se kompania e tij falimentoi, pasi nuk arriti më që të siguronte kontrata nga pala italiane.

Në mars të 2017-s, për të njëjtën arsye, listës për pezullim iu shtua dhe aktiviteti i zotit Niklovan Çela: Nuk siguruan dot më kontrata.

Apollonia Call, Victory Call Centre, Deta Calling, InterCall, CALL International Albania, Fercall, Ergocall, Quick Call Albania, CommerCall, Call Center Insieme, FKI Call, ALD Communications, International Communication janë disa nga operatorët e tjerë që kanë kaluar në status pasiv gjatë këtij viti, sipas listës së publikuar nga tatimet. Subjektet janë përgjithësisht të reja, të krijuara dy vitet e fundit, pasi aktiviteti i call center filloi të bëhej mjaft i përhapur në vend, duke shfrytëzuara koston e lirë të fuqisë punëtore dhe njohuritë e gjuhës italianë, çka bënte që kompanitë italiane të transferonin këtë shërbim në Shqipëri…Deri në momentin që qeveria italiane ndërhyri për të shpëtuar mbylljen e vendeve të punës, që po ikin nga Italia drejt Shqipërisë.

Në Itali, në datën 1 prill, hyri në fuqi ligji “Për delokalizimin” e call center, i cili shtrëngoi rregullat për zhvendosjen e aktivitetit nga Italia drejt shteteve joanëtare të BE-së dhe vendosi gjoba deri në 50 mijë euro për shkelje të tilla si p.sh mos tregimi i vendit të origjinës nga po kryhej telefonata. I miratuar në dhjetor të vitit të kaluar, ligjit iu la një periudhë tranzitore për të hyrë në fuqi me qëllim që kompanitë të njiheshin me rregullat e reja, zbatimin e standardeve, raportimin e numrit të punonjësve, adresave të selive, mbrojtjes së të dhënave etj.

Nisma e Italisë për delokalizimin alarmoi kompanitë Call Center në Shqipëri, të cilat penalizoheshin për shkak se operonin në një vend që nuk është pjesë e Bashkimit Europian. Jo në pak raste u ngrit shqetësimi i falimentit dhe riskut të humbjes së mijëra vendeve të punës. Qeveria në atë kohë pati një reagim të zbehtë përmes një shkrese drejtuar palës italiane, por që nuk arriti të merrte ndonjë përgjigje pozitive.

Po në mars nga Italia erdhi goditja finale për call center. 13 kompani italiane firmosën një protokoll mirëkuptimi me kryeministrin italian, Paolo Gentiloni, dhe ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Carlo Calenda. Kjo marrëveshje parashikon që “95% e aktiviteteve që kryhen direkt të kalojnë në Itali brenda gjashtë muajve nga nënshkrimi dhe në kontratat e reja, të paktën 80% e vëllimeve outsourcing të kryhen në territorin italian”.

13 kompanitë më të mëdha që sillnin fushata marketingu në Shqipëri u angazhuan në këtë marrëveshje. Këto subjekte përbëjnë 65% të sektorit për sa i përket xhiros: Eni, Enel, Sky, Mediaset, Tim, Vodafone, Wind Tre, Fastweb, IntesaSanPaolo, Unicredit, Poste Italiane, Ntv, Trenitalia./Monitor