Produktiviteti i punës ka pësuar rënie nga viti 2010-2015, por sektori i industrisë dhe ai i ndërtimit kanë kontribuuar me rënien më të madhe. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në një vlerësim për produktivitetin e punës në dhjetë vitet e fundit, shihet se sektorët prodhues në vend nuk kanë performuar mirë.

Në vitin 2006, kontributi i industrisë përpunuese në totalin e punësimit ishte 24.5%, ndërsa në vitin 2015 ra në 19.1 për qind.
Në të njëjtin trend vijoi edhe industria e nxjerrëse, efekti i cilës në punësim total ra me 5.3 për qind ndërmjet 2006-2015.
Gjithashtu sektori i ndërtimit pas flluskës së vitit 2008 pati një kontribut në ulje të punësimit në vend.

Nga 9.9 për qind që kontribuonte në totalin e të punësuarve në vitin 2006, në fund të 2015 kontributi i këtij sektori ra në 7.3 për qind. Por me zhvillimet e fundit, ku investimet në sektorin e banesave dhe hotelerisë janë rizgjuar kontributi në punësim ka ardhur me rritje këtë vit.

Evidencat tregojnë se periudha 2010-2015 shoqërohet me rënie të produktivitetit ne total, ardhur kryesisht nga mungesa e strukturimit brenda sektorëve.

Ulja e produktivitetit është ndjerë veçanërisht në sektorin e ndërtimit dhe industrisë përpunuese, dy sektorë të cilët gëzonin rritjen më të lartë të produktivitetit gjatë 2006-2010.

Pas vitit 2010 shohim se sektori i shërbimeve dhe tregtia kanë një potencial më të lartë për t’u rritur. Kjo periudhë është shoqëruar me tkurrje të numrit të të punësuarve, si dhe zhvendosjes së tyre drejt sektorëve më pak produktivë, që ka ndikuar në normën negative të rritjes së produktivitetit.

Ndërsa periudha 2006-2009 është shoqëruar me rritje të produktivitetit të punës në total, duke pasqyruar rritjen e produktivitetit në të gjithë sektorët e ekonomisë. Në këtë periudhë janë pikërisht sektori i ndërtimit dhe i industrisë (nxjerrëse dhe përpunuese) që kanë kontribuuar pozitivisht. /Monitor/