Sezoni veror 2018 premton të jetë interesant edhe për shqiptarët. Nis Kampionati Botëror i Futbollit dhe Rusia shënohet në hartën e destinacioneve; Egjipti premton të jetë sërish tërheqës, Greqia dhe Mali i Zi me çmime shumë të favorshme dhe Turqia, dashuria e shqiptarëve me ofertën ‘all inclusive’, por më të shtrenjtë sesa vjet. Ku do të pushojnë shqiptarët, e favorizuar nga euro e lirë, këtë vit?

Vera 2018 ka trokitur. Të shumtë janë ata që kanë nisur më herët të planifikojnë ditët e nxehta të këtij sezoni që sapo ka nisur dhe zgjedhjet janë të ndryshme. Tendenca kryesore vijon të jetë Turqia dhe Greqia, ndonëse operatorët e tregut pohojnë një rritje të lehtë të çmimeve. Duke mos përjashtuar kështu, se ka gjithnjë zgjedhje ekonomike për ata që nuk u volit një pushim i shtrenjtë. Më të preferuarat vijojnë të mbeten ato pushime që mund t’i quajmë “me duar në xhepa”.

Shqiptarëve çdo vit e më tepër po u pëlqejnë pushimet gjithëpërfshirëse, sidomos n.q.s. do të udhëtojnë me familjen. Këtë verë, të gjithë familjet me një fëmijë nën 2 vjeç kanë zgjedhur që të udhëtojnë në destinacione më të kripura, siç mund të jenë resortet me pesë yje në Turqi e Greqi. Kjo për një arsye të mirë: është viti i fundit ku anëtari i tretë i familjes përfiton gjithçka falas: udhëtimi në avion, akomodimi dhe ushqimi në hotel apo edhe lehtësi të tjera si asistencë nga profesionistë për fëmijën e vogël, në rast se prindërit duan të relaksohen (shumë resorte në Turqi e aplikojnë këtë shërbim). Për shqiptarët, jashtë vëmendjes nuk do të jenë edhe destinacionet “ekzotike” që pëlqehen më shumë nga çiftet e reja e më pak edhe kroçerat.

Përmendim këtu Spanjën, që vetë drejtuesit e agjencive e veçojnë, duke qenë se është kthyer në një trend në mesin e destinacioneve europiane. As Portugalia nuk mbetet pas, por të dyja këto destinacione pëlqehen më tepër nga çiftet e reja apo grupe shoqërore, duke qenë se janë udhëtime të cilat bëhen vetëm përmes tranzitit.

Të rinjve shqiptarë u volit kjo zgjedhje, sidomos nga Aeroporti i Shkupit, ku çmimet janë joshëse. Në panoramën e verës 2018 nuk lëmë pa përmendur edhe destinacionet ekzotike, për të cilat agjencitë turistike raportojnë një rritje në numër, që thuajse është shndërruar në zgjedhjen numër 1 të çifteve të sapomartuara. Megjithatë, destinacionet ekzotike si Ishujt Maldive, Dubai, Tajlanda etj., janë zgjedhje edhe të muajve të ndryshëm të vitit, duke marrë në konsideratë motin gjithnjë të favorshëm dhe shpeshherë, leverdi në çmim në muajt e dimrit.

Pushimet dhe Kampionati Botëror i Futbollit, Rusi 2018

Qershori është padyshim muaji me paketat më të favorshme për pushime, një tendencë që ka nisur vite më herët. Një pjesë e pushuesve prenotojnë dy javët e fundit të qershorit, si përpjekje për të gjetur çmimet më të mira në resortet më të kërkuara. Por, kjo nuk po ndodh këtë vit. Arsyeja është e thjeshtë, shpjegojnë agjencitë turistike.

Më 14 qershor nis Kampionati Botëror i Futbollit dhe meshkujt shqiptarë preferojnë të ndjekin ndeshjet me shoqërinë në vendin e tyre. Nga ana tjetër, ka edhe një tjetër kategori që qershorin e lidhin me kampionatin: turistë dhe të pasionuar pas futbollit. Sipas agjencive kryesore në Tiranë, ka pasur interes dhe është kërkuar informacion për udhëtimin atje, por nuk kanë pasur finalizime në prenotime. Sipas tyre, mbase janë angazhuar që të udhëtojnë privatisht.

Nga një kërkim për fluturime nga Tirana në Moskë, për një periudhë të supozuar nga 9 qershori deri më 19 qershor, bileta me Air Serbia për një person kushton 448 dollarë. Sipas mytrip.com, biletat në këtë periudhë, në varësi të operatorit të fluturimit, kushtojnë deri në 894 dollarë. Pasi të keni ardhur në Moskë, gjëja e parë që do të paguani është transporti në hotel.

Mënyra më e mirë dhe më e lirë për të udhëtuar nga aeroporti në Moskë në qendër të qytetit është të marrësh një Uber. Një udhëtim Uber nga aeroporti (Domodedovo ose Sheremetyevo) në Moskë ka një çmim fiks prej 850 rublash ose 13 dollarë. Të dy aeroportet në Moskë kanë Wi-Fi falas brenda terminaleve, për të porositur një Uber. Nëse do të qëndroni në qytete të tjera përveç Moskës, duhet të mbani parasysh shpenzimet e transportit për të arritur atje.

Rusia do të ofrojë transport falas tokësor (me autobus apo tren) midis qyteteve pritëse gjatë Kupës së Botës Rusi 2018 për tifozët që do të ndjekin ndeshjet në stadium. Qyteti më i shtrenjtë për të qëndruar gjatë Kampionatit Botëror të Futbollit do të jetë Shën Peterburgu, me dhomat më të lira në hotelet me 2 yje, duke filluar nga 4,600 rubla (80 dollarë) një natë.

Për një itinerar të supozuar, do të merret një hotel 2-3 yje në Moskë dhe Shën Peterburg për 100 dollarë/nata. Për dhjetë net qëndrimi në Rusi, ajo do të arrijë në një 1000 dollarë. Për shembull, supozohet të shkosh në dy ndeshjet e Kupës së Botës në fazën e grupit dhe duhet të merren biletat e Kategorisë 3, më të lira, për 105 dollarë secila. Biletat më të shtrenjta të Kategorisë 2 janë 165 dollarë, Kategoria 1 – 210 dollarë/bileta. Dy bileta të Kategorisë 3 do të shtojnë 210 dollarë në buxhetin e dy personave. Për të marrë pjesë në ndeshjet e 2018 Kampionatit Botëror të Futbollit Rusi 2018, ju duhet të merrni një FAN ID.

Sipas Welcome2018.com, i cili është portali turistik i qeverisë ruse sa i përket informacionit rreth vendit pritës të Kupës së Botës, nevojitet një buxhet ditor prej 1800 rublash (30 dollarë) për ushqimin gjatë Kampionatit. Është e mjaftueshme për të ngrënë tri herë në ditë dhe të një pije në bar apo restorant. Për dy persona, në 10 ditë, totali shkon 600 dollarë. Përllogaritja bëhet e tillë: një Big Mac në McDonald’s – 150 rubla; një mëngjes në McDonald’s, 100-150 rubla; një drekë me çmim mesatar në një restorant rus me një pije, supë, sallatë dhe një pjatë, 500 rubla; pizza në kafe-piceri, 500 rubla; një birrë në bar apo restorant, 150-200 rubla. Në total, sipas përllogaritjes së marrë nga burimet kryesore, në një skenar të improvizuar, për dy shqiptarë kostoja rezulton 2719 dollarë, ose 2350 euro.

Turqia më e shtrenjtë

Një panoramë që po e hasim në shumë situata: edhe për pushime shqiptarët zgjedhin kryesisht fqinjët grekë dhe ‘vëllezërit’ turq. Greqia zgjidhet për destinacionet e lira, aksesin e shpejtë dhe të afërt dhe sidomos, nga të pasionuarit e aventurës në ishuj të ndryshëm. Turqia vijon të pëlqehet për komoditetin e chart-erave dhe resortet ‘all inclusive’

Drejtuesit e agjencisë Union Travel thonë se destinacionet më të pëlqyera në Greqi janë: Korfuzi, Kalkidhikia e Parga. Afërsia dhe mundësia e arritjes së këtij destinacioni edhe me mjete private e bëjnë të frekuentuar dhe të pëlqyer nga një pjesë e mirë e shqiptarëve që zgjedhin të pushojnë jashtë. Ofertat për këtë destinacion janë për hotelet me katër e pesë yje, për 5 apo 10 ditë qëndrim. Alternativë tjetër janë pushime në Korfuz, duke filluar nga 309 euro për person në hotele me 4 yje; në Halkidiki, duke filluar nga 259 euro për person, sipas Union Travel, të cilat janë destinacione të preferuara ndër vite.

Në Turqi, tre janë destinacionet që kërkohen për shkak të ofertave të shumta: Antalya, Bodrum dhe Alanya. Nga Union Travel bëjnë të ditur se çmimet fillojnë me 550 euro/personi dhe arrijnë deri në 1200 euro në disa resorte më të kripur.

Egjipti, kërkesa në rritje

Kur vjen sezoni i pushimeve, të gjithë mendojnë të zgjedhin një vend me disa karakteristika të veçanta dhe Egjipti përmbush këtë tipar. Sipas drejtuesve të Kalemi Travel, duke qenë se periudha e trazirave që e kishte penalizuar këtë vend ka kaluar, shqiptarët po i kthehen sërish Egjiptit.

Sipas raportit të fundit të Këshillit Botëror të Turizmit (WTTC) për 2018, autoritetet shpresojnë që të rikthehen në nivelet rekord të fluksit të turistëve të vitit 2010. Egjipti pëlqehet për shumëllojshmërinë e aktiviteteve që mund të kenë atje: Deti i Kuq, barriera koralore, burime natyrore, plazhe pa fund, por edhe piramidat. Sharm El-Sheikh është një nga destinacionet më të kërkuara Pjesa më e madhe e ofertave janë all inclusive dhe për muajin qershor çmimet variojnë në 499 euro / 9 net, në korrik shkon në 850 euro.

“Mjalti”, destinacionet ekzotike

Maldivet, Dubai, Santo Domingo në fakt janë destinacionet që kërkohen më shumë këtë periudhë, veçanërisht nga çiftet e reja, që duan të kenë një muaj mjalti të paharruar. Ata që iu drejtohen agjencive turistike për destinacionet ekzotike janë padyshim të rinjtë, veçanërisht të sapomartuarit, që dëshirojnë një muaj mjalti të paharrueshëm. Natyrisht këto janë paketa të personalizuara që agjencitë i përshtatin në bazë të kërkesave të klientëve.

Çfarë u ofrojnë resortet dhe hotelet jashtë vendit atyre që janë në muaj mjalti? “Sapo shkon në hotel ke një shishe shampanjë, një tufë me lule dhe dhomat janë arreduar në mënyrë të veçantë”, shpjegojnë punonjës të agjencive turistike. Idetë dhe destinacionet janë të pafundme. Sekreti: mjafton të zgjidhni një vend që nuk mund ta harroni gjatë gjithë jetës. Agjencitë turistike thonë se destinacionet ekzotike bëjnë pjesë te paketat individuale, tek ato që përshtaten sipas preferencave, pasi një nga problemet kryesore mbeten vizat. Janë kryesisht çiftet e reja, të sapomartuar, që zgjedhin këto destinacione të largëta e që kanë më shumë kohë në dispozicion.

Union Travel ofron paketa të personalizuara, për destinacione si: Male (Bandos Island Resort) duke filluar nga 1,970 euro për person apo edhe Fun Island Resort. Biletat e udhëtimeve drejt këtyre destinacioneve kushtojnë shtrenjtë dhe shpesh duhet të bëhen me kalime tranzit. Drejtuesit e agjencisë ATHS thonë se ndër destinacionet që preferohen nga të rinjtë është edhe Dubai, me nisje nga Aeroporti i Shkupit. Ata e shpjegojnë kërkesën në rritje për këto udhëtime me rritjen e standardit të jetesës për atë kategori të popullsisë, e cila mund të përballojë shpenzime të tilla. Këto janë udhëtime që mund të bëhen një herë në jetë e që në përgjithësi janë për muaj mjalti, ku buxheti nuk është më i kufizuar sesa në pushimet e zakonshme vjetore.

Kroçerat

Kroçerat, edhe pse jo në masë, pëlqehen veçanërisht nga çiftet e reja që zgjedhin të kalojnë muajin e mjaltit në bordin e anijeve të mëdha. Drejtuesit e agjencisë turistike Union Travel thonë se pëlqehen udhëtime që kanë disa destinacione e kryesisht ishujt e Greqisë, që ofrojnë një përvojë të veçantë.

Një tjetër agjenci që ofron paketa turistike me kroçera është edhe ATHS, me destinacione si Italinë, Spanjën, me çmime që fillojnë nga 600-1300 euro, ku përfshihen edhe taksat portale. Cruise Critic ka realizuar një listë me destinacionet më “të nxehta”, mes të cilave është renditur edhe Shqipëria, me Sarandën, duke e quajtur “portin e ri”.

Turizmi kulturor

Ndonëse verë, një pjesë e pushuesve zgjedhin të bëjnë turizëm kulturor. Destinacionet më të kërkuara mbeten Parisi, Budapesti, Amsterdami dhe Barcelona. Spanja, që vetë drejtuesit e agjencive e veçojnë, është kthyer në një trend të vërtetë në mesin e destinacioneve europiane, ndonëse jo për plazh. Në listën e destinacioneve që preferohen janë edhe Budapesti dhe Amsterdami, për shkak të nisjes së fluturimeve nga dy operatorët me kosto të ulët, Wizz Air dhe Transavia Airlines. Sipas agjencive, edhe këtë vit shqiptarët nuk do të heqin dorë nga fluturimet nga aeroportet simotra të “Nënë Terezës”, siç është ai i Prishtinës e Shkupit. Në paketat turistike, agjencitë kanë të përfshirë edhe nisjet nga këto aeroporte për destinacione të ndryshme, që nga Tirana do të kushtonin disa herë më shtrenjtë. Nga këto aeroporte fqinje pëlqehet Spanja dhe Parisi (sidomos nga Podgorica) me çmime tejet favorizuese.

Rënia e euros amortizon rritjen e çmimeve

Turqia këtë vit do të jetë pak më e shtrenjtë se një vit më parë, duke qenë se rusët i janë rikthyer destinacionit të preferuar. Por, rritja e lehtë e çmimeve duket se për shqiptarët, po ‘amortizohet’ nga rënia e monedhës euro në kursin e këmbimit.

N.q.s vitin e shkuar, një çift udhëtonte drejt Turqisë në një resort që për dy javë në pikun e sezonit kushtonte 800 euro, këtë vit ky udhëtim është rreth 10% më i shtrenjtë. Por, me rënien e euros, e cila vitin e shkuar këmbehej me 136 lekë, ndërsa momentalisht 126 lekë, rritja e çmimit amortizohet disi.

Megjithatë, agjencitë turistike tregojnë se një prenotim i mëhershëm do t’i ‘shpëtonte’ të pasionuarit pas Turqisë duke qenë se gjenden oferta më të mira. Por, sipas tyre, si gjithmonë, shqiptarët vendosin në minutën e fundit. Nga ana tjetër, rënia e monedhës vendase, lira, ka rritur mundësitë e blerjeve më të shumta në rastin konkret nga shqiptarët, duke qenë se një euro më e lirë e këmbyer këtu është tejet e volitshme për blerje në Turqi.

Turqia, zgjedhja nr.1

-Qershori është padyshim muaji me paketat më të favorshme. Për resorte me akomodim deri në 5 yje, çmimet nisin nga 500 euro.
-Për nisje nga data 15 qershor do të mund të merrni paketa pushimesh duke filluar nga 500 euro për person deri në 599 euro për person. Agjencitë raportojnë rritje të lehtë të çmimeve krahasuar me vitin e shkuar, me rreth 10%.
-Korriku dhe gushti, sipas drejtuesve të agjencive turistike, do të ketë çmime disi më të shtrenjta, duke qenë se përbëjnë edhe kohën ‘pik’ të sezonit, mesatarisht 800-1100 euro/person, në varësi nga niveli i hotelit dhe lehtësi të tjera.

/Monitor/