Të punësuarit shqiptarë deklarojnë se punojnë 48 orë në javë, sipas një sondazhi të fundit të Komisionit Europian, që ka matur cilësinë e jetës për vendet e Europës, përfshirë Ballkanin Perëndimor.

Numri i orëve që shqiptarët rrinë në punë është më i larti në të gjithë Europën dhe shumë më i lartë sesa mesatarja që rezulton për Bashkimin Europian, prej 40 orësh në javë.

Pas nesh, kohë më të gjatë pune raportojnë serbët dhe turqit me 47 orë në vit.

Punonjësit që raportojnë se punojnë më pak orë janë holandezët, me vetëm 35 orë në javë, të ndjekur nga britanikët, me 37 orë, gjermanët me 38 orë, irlandezët 39 orë. Nga shtetet e Bashkimit Europian, më punëtorët janë portugezët dhe grekët, me 47 orë.

Komisioni Europoian raporton se sondazhi u bë në një kampion të rastësishëm prej 1000 banorësh për shumicën e vendeve dhe 1300 banorë për shtetet e mëdha. Për Shqipërinë, sondazhi u realizua në periudhën nëntor 2016-mars 2017 dhe koha e intervistimit ishte 35 minuta dhe synon të masë balancën punë-jetë.

Sa më i moshuar të jesh aq më gjatë punon në Shqipëri. Orët më të gjatë të punës i raporton grupmosha 50-64 vjeç, me 50 orë, më pas vjen ajo 35-49 vjeç dhe 18-24 vjeç, me 48 orë secila.  Grupmosha 25-34 vjeç është më “dembele”, deklaron se punon 45 orë.

Ata që kanë më shumë të ardhura punojnë më pak. Grupet me të ardhura më të larta punojnë 46 orë në vit dhe ata që fitojnë më pak punojnë 50 orë në javë (raporti i ndan personat sipas të ardhurave në katër grupe, nga më i ulëti tek më i larti).

Sipas sondazhit të KE-së, kur pyeten se sa orë në javë do të donit të punonin, të anketuarit shqiptarë janë përgjigjur 34 orë. Por, sado pak të punosh sërish nuk je i kënaqur. Holandezët kanë pohuar se do të preferonin të punonin 26 orë në javë, danezët po ashtu.

Një tjetër pyetje lidhet me orët e punës së partnerit, që të anketuarit shqiptarë i janë përgjigjur 49 orë, sërish më e larta në Europë.

72% e të anketuarve shqiptarë pohojnë se të paktën disa herë në muaj shkojnë në shtëpi tepër të lodhur për t’u marrë me punë shtëpie. Më të lodhurit janë serbët, me 83%.

56% e shqiptarëve deklarojnë se të paktën disa herë në muaj e kanë pasur të vështirë të përmbushin përgjegjësitë familjare, për shkak të kohës së kaluar në punë, më e lartë sesa mesatarja e BE-së, por më e ulëta në rajon. Përqindjen më të lartë në Europë e raportojnë kroatët, me 69%.

Në kahun tjetër, 37% e të punësuarve shqiptarë kanë deklaruar se të paktën disa herë në muaj e kanë të vështirë që të përqendrohen në punë, për shkak të problemeve familjare, më e lartë se mesatarja e BE-së, por ndër më të ulëtat në rajon.

Shqiptarët dhe turqit shpenzojnë kohën më të gjatë për t’u kujdesur për familjarët dhe të afërmit me probleme shëndetësore që janë mbi moshën 75 vjeç, me përkatësisht 17 dhe 21 orë.

Më herët, të dhënat zyrtare të institutit shqiptar të statistikave (INSTAT), por që masin kohën e të punësuarve me pagesë treguan se për vitin 2017, në Shqipëri punohet mesatarisht 2,173 orë në vit, ose rreth 42 orë pune në javë. Ndërsa mesatarja e vendeve të zhvilluara të OECD është 1764 orë. Në krahasim me mesataren, të punësuarit me pagë në Shqipëri punojnë rreth 409 orë më shumë. /Monitor/