Numri i automjeteve të regjistruara shënoi rënie për herë të parë në 2017-n që kur vendi hapi dyert drejt ekonomisë së tregut. Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT numri i automjeteve të regjistruara në vitin 2017 ishte 535,570.

Burimet nga Ministria e Transportit pohuan së rënia erdhi si rezultat i amnistisë fiskale që i dha mundësi zotëruesve të automjeteve të kryenin çregjistrime pa paguar gjobat.

Një pjesë e automjeteve dolën nga qarkullimi, pasi ligji i faljes lejonte Drejtorinë e Transportit Rrugor të bënte çregjistrime automatike për automjetet me detyrime, nëse zotëruesit e tyre nuk interesoheshin sipas afatit të ligjit.

Ligji i faljes fiskale që hyri në fuqi në vjeshtë të vitit 2016, lejonte subjektet/personat përgjegjës që, brenda datës 31.12.2017, të paraqiteshin pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor për të kryer, pa pagesë, veprimet e heqjes nga qarkullimi të mjetit apo për të kërkuar moskryerjen e procedurës së heqjes nga qarkullimi dhe mbajtjen aktiv të tij.

Ligji i faljes lejonte Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor, që të nxirrte nga qarkullimi automjetet për të cilat nuk ishte kryer asnjë veprim pas datës 31 dhjetor 2011 e në vijim.

Personat, të cilët u paraqitën dhe kërkuan moskryerjen e procedurës së heqjes nga qarkullimi të mjetit ose mbajtjen aktiv të tij, iu fshinë detyrimet tatimore për periudhat dhjetor 2010 e më parë, me kusht që të paguanin detyrimet për periudhën janar 2011 e në vijim, me përjashtim të gjobave dhe kamatëvonesave të periudhës janar 2011 deri në dhjetor 2014, të cilat u falen.

Heqja nga qarkullimi i këtyre mjeteve u bë pasi u shuan detyrimet tatimore të papaguara për to, si: taksa e regjistrimit të përvitshëm të mjeteve, taksa vjetore e qarkullimit rrugor, taksa vjetore e mjeteve të përdorura, taksa e mjeteve luksoze, gjobat e llogaritura për efekt të mospagimit të taksave. /Monitor/