Ndërtimi i gazsjellësit TAP po shkon drejt fundit sipas parashikimeve. Nga Zvicra kompania njoftoi zyrtarisht se ka përfunduar dërgesat e të gjitha tubave në tre vendet pritëse, Shqipëri, Itali dhe Greqi.

Në Selanik u bë transporti i fundit, duke mbyllur kështu një nga ciklet më të rëndësishme të ndërtimit të gazsjellësit.
Gjithsej janë transportuar 55 mijë segmente tubash çeliku, me një peshë prej 580 mijë tonë, sa 71 kulla “Eiffel”. Dërgesa e parë është bërë në prill 2016, në Durrës. Shtrimi i tubacionit përgjatë gjurmës pritet të përfundojë vitin ardhshëm, ndërkohë që paralelisht punohet në stacionet e pompimit.
Dërgesat e para do të lëshohen nga Azerbajxhani drejt Turqisë dhe Gjeorgjisë në 2018, ndërsa në tregun evropian gazi do të mbërrijë në 2020.
TAP nënvizon faktin se si ky gazsjellës përveç Evropës perëndimore hap perspektiva të reja furnizimin me gaz natyral të vendeve të Ballkanit, duke mbështetur kështu ndërtimin e gazsjellësit tjetër Adritiko-Jonian, që nis në Shqipëri dhe përfundon në Kroaci.
Pikërisht ky projekt do të përshpejtojë ngritjen e rrjetit të transmetimit të gazit në vendin tonë dhe një pjesë e mirë e industrisë në vend mund të përfitonte nga ky burim energjie i lirë.
Përfundimi i ndërtimit të gazsjellësit do sjellë edhe uljen e peshës në investimet e huaja në Shqipëri, e cila mbeti e lartë dhe e përqendruar në dy projekte të mëdha, TAP dhe kaskada e Devollit. /TCH