Drejtoria Rajonale Tatimore në Tiranë u kërkon bizneseve që të depozitojnë pranë saj të gjithë inventarin e materialit analitik të datës 31.08.2017. Inventari përfshin lëndën e parë, produktet e gatshëm, mallrat për rishitje apo prodhimin në proces. 

"Ky informacion duhet të depozitohet pranë Drejtorisë sonë brenda datës 25.09.2017 duke u ngarkuar elektronikisht në sistemin e tatimeve e – filling në rubrikën e Dokumentat e mia, ose në formë shkresore (i firmosur dhe i vulosur nga përfaqësuesi i shoqërisë)", thuhet në shkresë.

Nëse informacioni nuk do të jepet brenda afatit, për biznesin do të aplikohen gjoba. 

"Inventarët duhet të jenë të detajuar në artikuj, njësi, sasi, cmim, vlerë si dhe të ndarë sipas çdo adrese të ushtrimit të aktivitetett, qoftë kjo magazinë, pikë shitje me shumicë, apo pakicë. Fletët e inventarëve duhet të jenë të nënshkruar në çdo faqe nga administratori i tatimpaguesit dhe të vulosura", vijon njoftimi.

Drejtoria Tatimore paralajmëron edhe kontrolle për inventarët, si pjesë e luftës kundër informalitetit, që është riaktivizuar pas zgjedhjeve të 25 qershorit.