Krahas aktiviteteve të shumta që janë paraparë të shënohen në kuadër të 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, është paralajmëruar edhe një koncert i Rita Orës në Prishtinë.

Këngëtarja shqiptare me famë botërore pritet t’i argëtojë fansat e saj të shumtë në qendër të kryeqytetit me datë 17 Shkurt. Ndërkohë, ditët e fundit qarkullojnë spekulime për mundësinë e dështimit të koncertit të 27-vjeçares.

Mirëpo, ministri i Punëve të Jashtme dhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka qartësuar se koncerti do të mbahet. Në një intervistë për Klan Kosova, ai e ka konfirmuar pjesëmarrjen e Ritës në koncertin që do të organizohet në kuadër të 10-vjetorit të Pavarësisë.

Pacolli, i cili është duke qëndruar për vizitë në Kuvajt, ka bërë të ditur që është takuar me homologun e tij dhe kanë diskutuar për mundësitë e bashkëpunimit në të ardhmen.