Nga Kozeta Kurti

Unë i dua katër vajzat dhe kam shpenzuar kohë me to dhe kohë cilësore madje.

Besën nuk kam mundur ta takoj prej shumë kohësh, por Irma, Rovena e Eneda e dinë se mua nuk më ka pëlqyer emërtimi i kësaj ngjarjeje muzikore “Diva Show” dhe kjo jo  vetëm për faktin se kjo fjalë është përdorur keq e dhjetëra njerëz janë vetëshpallur “diva” prej pak sekondave famë të menjëhershme në televizor a në ca kopertina të paguara me mijëra euro.

As nuk dua të mbaj përgjegjësi duke u shprehur a e meritojnë apo jo vajzat tona të quhen “diva”, por askush nuk më pengon e nuk ma mohon dot që një diva e vërtetë e ka botën a mikrobotën ku jeton nën këmbë dhe bën atë që dëshiron e ka nevojë për të përcjellë ato emocionet për të cilat artisti punon gjithë jetën.

Detyra e vajzave duhet të ishte veç shqetësimi për këngët e sjelljet skenike, por me sa duket vëmendja ndaj të gjitha detajeve të organizimit, përfshirë edhe përgjigjet e telefonatave që duket sikur janë të interesuar për bileta, por që në të vërtetë duan ftesa (se udhët e komunikimit për bileta aty janë. Me një klik sot shkon në Polin e Veriut e jo më nē Pallatin e Kongreseve).

Për një “diva” a disa të tilla, mendohet nje hyrje spektakolare, ndërkohë që “divat” tona dolën nga dy cepa ku mezi i vura re, edhe pse isha shumë pranë tyre, por kjo nuk ngarkon me përgjegjësi “divat” e këngës. Ato kanë detyrë të këndojnë; regjisorët, skenaristët, drejtuesit artistikë kanë përgjegjësi për “shitjen” artistike të “diva”-ve, përveçse në rastet kur ato mungojnë krejtësisht, por nëse nuk janë ata, s’ka as “diva”. Ka vetëm disa artistë që janë të detyruar t’i bëjnë të gjitha vetë.

Hyrje-daljet e vajzave ishin të thata e pa jetë, ndërkohë që aktiviteti i tyre artistik është aq i pasur sa të “bërtiste” aty në publik, duke e mbajtur të mbërthyer vëmendjen e këtij të fundit, pa u shpërndarë në llafe veshi e chat-e rrjetesh sociale.

Fjala e vajzave ishte e pa kuruar, jo sepse ato nuk dinë të flasin bukur, por sepse të dridhet skena nën këmbë nga emocionet kur je përballë një publiku që ka ardhur aty veç për ty, ndaj janë regjisorët, skenaristët, drejtuesit artistikë, përveçse në rastet kur ato mungojnë. Në të tilla raste, nuk ka “diva”, por artistë që duhet t’i bëjnë të gjitha.

Çdo artist në skenë do t’i kishte ëndërruar aq metra led wall në skenografi, por kurrësesi faktin që ai të shërbente veç si “mur kufizues”, sepse funksioni real ishte i limituar, me grafika të vakëta e shumë larg përshtatjes me performancat e këngët.

Elementi i baletit, valles, cirkut, ishin disa detaje që më kanë pëlqyer shumë, vetëm se ato i perceptova si të shkëputura nga kënga dhe për një çast e harrova qëllimin e parë për të cilin isha tek “Diva”-t, por edhe shkrirja e këtyre elementeve  me të tërën është detyrë e regjisorëve, skenaristëve, drejtuesve artistikë, përveçse në rastet kur ata mungojnë. Dhe në të tilla raste, nuk ka “Diva”, por artistë që i bëjnë të gjitha vetë.

Këto shqetësime sollën tek këngët edhe ato problemet e dukshme për një vesh krejt të pa stërvitur dhe amator si imi, duke ma zbehur rrugës emocionin.

Por ka një 10-të të madhe e të pamohueshme tek “Diva”-t.

Ato jo vetëm e thanë, por edhe e bënë koncertin, duke provuar veten dhe dashamirësinë e dashurinë e njerëzve ndaj tyre.

Një epokë e re dhe e rëndësishme po nis. Kjo ka rëndësi tani! Të tjerat ndreqen rrugës, duke mësuar sikur edhe nga gabimet e projektit paraardhës.

Unë e dua muzikën, ndaj më dhemb ajo! Marrë nga Blitz.al