*Gazetarja dhe blogerja Anita Likmeta e njohur për bagazhin profesional, si dhe vullnetin për të vepruar është sot kandidate e një prej grupimeve politike më të përmendura në Itali. Ajo rrëfen kujtimet, që ruan për Shqipërinë dhe dëshirën për të kontribuar në vendin e saj

Ajo e ruan me fanatizëm brenda vetes vogëlushen e kodrave të Rrubjekës, që ëndërronte histori të mëdha ku shikonte veten protagoniste. Po me kaq fanatizëm Anita Likmeta ruan të vërtetën, ndershmërinë dhe integritetin, si pjesë të pandashme të saj. E njohur për kontributin e saj në botën e teknologjisë dhe inovacionit, angazhimin në temat sociale dhe vëmendjes, që tregon ndaj fenomenit të emigracionit, Likmeta vjen në një rrëfim ekskluziv për “Shekullin”, ku ndan emocione, histori si dhe planet e saj për të ardhmen, që përfshijnë edhe Shqipërinë. Për bagazhin e saj të pasur profesional, si dhe vullnetin për të vepruar ajo është sot kandidate e një nga grupimeve politike më të përmendura në Itali. Por, edhe pse 20 vite më parë Italia e priti dhe i dha mundësi e mjete për t’u realizuar, me ide dhe vepra konkrete e shikon veten si pjesë të Shqipërisë, pasi i kujton fort mirë fjalët e gjyshit të saj para se të largohej: “Mos harro rrënjët e tua, njeriu herët a vonë kthehet ku është nisur”…

Anita, nëse rikthehemi në kohë, cilat janë kujtimet, që ju ruani për Shqipërinë?

Kur kujtoj fëmijërinë, në mendje më vinë kodrat në Rrubjekë. Më kujtohet kur tokat i përkisnin shtetit, imazhi i grave dhe i burrave që hidhnin në supe veglat e bujqësisë dhe shkonin për të punuar. Mbaj mend fustanet modeste, me ngjyra të zbehta që mbulonin këmbët e lodhura të grave, të cilat punonin me shatë, duke u koordinuar sa në një pjesë të tokës në tjetrën. E sjell shpesh ndër mend momentin, kur më thanë se mamaja ime ishte nisur për në Itali me anijen e parë, së bashku me motrën dhe vëllanë, që ishte vetëm 9 muajsh. Pastaj kaosi i periudhës postkomuniste, dita e parë e shkollës në Rrubjekë, fjalimin e kryeministrit të atëhershëm Sali Berisha në oborrin e shkollës të mbushur me banorë, që brohorisnin sikur të shikonin tek ai një mrekulli, heroin që do t’i çonte drejt një mënyre më të mirë jetese.

Por, kështu nuk ndodhi dhe as që kishte si të ndodhte. Më kujtohen vitet e firmave piramidale, kur xhaxhai im, pavarësisht se gjyshi u përpoq disa herë ta bënte të arsyetonte, shiti shtëpinë dhe më vonë i humbi të gjitha dhe në fund i dëshpëruar e i poshtëruar u nis për në Greqi, për të bërë një punë të rëndomtë, sepse qytetarëve shqiptarë të atyre viteve u ishin vjedhur dhe ato pak të mira që kishin. Pastaj kujtoj atë qetësi të vitit 1996, që paralajmëronte luftën civile. Mbaj mend kur TVSH-ja transmetonte orët mësimore për fëmijët, pasi për shkak të trazirave të vazhdueshme nuk mund të shkonim në shkollë. Më kujtohen shumë mirë fjalët e gjyshit tim, që më thoshte se shqiptarët janë një popull me një histori të madhe, por që gjatë 50 viteve të diktaturës zëri kritik tek njerëzit ishte zbehur, regjimi kishte thyer vullnetin për të ngritur zërin, për të marrë guxim. Gjyshi ishte një socialist liberal dhe para se të nisesha për në Itali më këshilloi të studioja, më kërkoi që të mos harroja kurrë rrënjët e mia, pasi herët apo vonë njeriu kthehet atje nga ku është nisur.

Cilat ishin ëndrrat e para që kishit për të ardhmen?

Kur isha e vogël më pëlqente shumë të lexoja, kam lexuar të gjitha librat që ishin të disponueshëm në fillore. Kur kthehesha nga shkolla dhe çoja delet të kullosnin së bashku me kushëririn tim, merrja gjithmonë me vete tregime të autorëve të huaj, si Gianni Rodai, si dhe klasikët grekë që i kam pëlqyer shumë. Sinqerisht kur isha fëmijë nuk e kisha një ide të qartë se çfarë do të bëhesha konkretisht, por ëndërroja histori të mëdha, në të cilat do të isha protagonistja. Me studime isha shkëlqyeshëm, më pëlqente shumë të pikturoja dhe do të kisha dashur shumë të studioja për art, por jetoja në fshat dhe gjyshërit ishin tepër të moshuar për të më ndjekur.

Po largimi për në Itali, si erdhi? Keni qenë vetëm 10 vjeçe, por a ju kujtohet fillimi i këtij rrugëtimi të panjohur për ju?

Largimi për në Itali është një kujtim i gjallë në memorien time. Ora ishte 11.00 e paradites, kur unë dhe familja ime u nisëm nga Durrësi, hipëm në anije dhe unë qëndroja gjatë gjithë kohës, duke vëzhguar fytyrat e njerëzve. Kishte shumë njerëz, shumë fëmijë që bërtisnin dhe pastaj kujtoj të qarat e tyre. Njerëz, që ndoshta, përshëndeteshin për herë të parë me njëri-tjetrin. Unë qëndrova aty, e kapur fort pas atij momenti, pas imazhit të tokës si më që zhdukej pas çdo metri. Mbërritëm në Bari gjatë natës, më 3 qershor të vitit 1997. Më kujtohen kontrollet e policisë italiane, rrugët me ndriçim, e pastaj restorantet dhe aroma e briosheve të ngrohtë me çokollatë.

Shumë shqiptarë rrëfejnë se fillimet për ta kanë qenë diskriminuese. Por, sa të huaj e keni ndierë veten në këtë vend, edhe a ka pasur njerëz që ju kanë dhënë dorën për t’u ngritur, qoftë edhe moralisht?

Vështirësia e parë që hasa ishte gjuha, e kalova të gjithë verën, duke studiuar gramatikën italiane pasi kisha nevojë të komunikoja, të tregoja, të matesha me bashkëmoshatarët italianë. Pastaj gjuhët e huaja u bënë një pasion i imi, dhe sot flas gjashtë. Ishin Sokrati, Platoni, Seneka, Dante, Virgjili, Petrarka, Manzoni, Gëte, Marks, Niçe, Çehov, Levi, Arendt, Pushkini, Arendt, De Beauvoir, De Saint-Exupéry, Silone, Spinelli etj., ata që më rritën dhe më motivuan të besoja se mund të realizoja çdo gjë që dëshiroja, dhe kështu ndodhi, pavarësisht vështirësive.

“Shqipëria ka qenë gjithmonë në mendimet e mia”

Në Itali vazhduat studimet e larta, të cilat nuk i latë me kaq. Pasi Parisi do të ishte një tjetër destinacion për studime nga ju. Çfarë mund të na tregoni më tepër rreth formimit tuaj, në letërsi, filozofi edhe histori?

Pas diplomës së maturës, vazhdova studimet në Akademinë e Arteve dramatike “Corrado Pani” në Romë ku studiova dramaturgji. Më pas u regjistrova dhe vazhdova “Letërsi dhe filozofi” në Universitetin “La Sapienza”. Pas kësaj kam jetuar në Paris për dy vjet ku mund të thelloja më tej studimet e mia në Filozofi, dhe ku pata mundësinë të realizoj një dokumentar në të cilin kam intervistuar njerëz të fushave të ndryshme; artistë, politikanë, shkrimtarë, midis të cilëve edhe Ismail Kadarenë.

Gjatë studimeve në Paris sërish mbroni një tezë, që ka lidhje me marrëdhëniet e Italisë me Shqipërinë. Por, cila ka qenë lidhja juaj konkrete me vendlindjen gjatë kësaj periudhe 25-vjeçare?

Shqipëria ka qenë gjithmonë në mendimet e mia, ndërsa në Itali jam bashkëthemeluese e një “Holding” komunikimi që merret me Transformimet Dixhitale, dhe kemi qendrat tona në 3 vende Evropiane, përfshirë këtu dhe Shqipërinë, ku kemi një kompani që merret me software. Përpiqem me aq sa kam mundësi të kontribuoj, edhe pse do të më pëlqente shumë të vija në dispozicion të gjitha njohuritë dhe profesionalitetin tim në funksion të atdheut.

Aktore, gazetare, blogere, por jo vetëm. Ku e gjeni më tepër veten Anita?

Mbi të gjitha, mua më pëlqen të veproj. Mendoj se është absolutisht gjëja më e bukur të shikosh teksa idetë e tua marrin formë. Sot mund të them se, pavarësisht historisë ku kam qenë bashkëprotagoniste me shumë shqiptarë të tjerë, kam jetuar jetën që doja. Nuk jam kapur pas gjërave, gjithçka për të cilën kam nevojë e kam me vete. Kam mësuar se gjithçka është në lëvizje të vazhdueshme dhe që me të vërtetë jemi një hiç, përballë ngjarjeve të mëdha të jetës. E vërteta dhe integriteti janë për mua vlerat më të larta.

Së fundmi, jeni kandidate edhe e një grupimi të veçantë politik në Itali. Çfarë mund të na thoni më tepër rreth këtij angazhimi?

Lëvizja politike kombëtare “10 Volte Meglio” (10 herë më mirë) është një grup i përbërë nga profesionistë, biznesmenë, menaxherë, ku mund të kontribuoj, duke shfaqur vlerat e mia, pasi sot më shumë se kurrë e shikoj të nevojshme të marrësh një pozicion për të ndryshuar statusin quo-n e gjërave.

“Në Shqipëri është e nevojshme t’u rikthehet besimi njerëzve, thelbësor krijimi i një Komisioni për të vërtetën”

Cilat janë qëllimet tuaja përsa i përket kësaj fushe, politikës?

Italia është vendi në të cilin kam zgjedhur të jetoj, vendi që, 20 vite më parë, më priti, duke më dhënë mundësinë të studioja dhe mbi të gjitha, që më ofroi mjetet për t’u rritur dhe për t’u realizuar në jetë. Për mua këto janë arsye të vlefshme që më shtyjnë të kontribuoj në një Itali të aftë për t’i përgjigjur fenomenit të globalizmit, si dhe për t’u matur me sfidat ekonomike botërore gjithmonë dhe më të ndërvarura. Pasi unë besoj në një Itali gjithëpërfshirëse, që të jetë me të vërtetë multietnike dhe multikulturore dhe që të shikoj tek “New Italians” jo një problem, por një burim real potencialesh ende të paeksploruara. Besoj në vlerat evropiane të “Manifesto di Ventotene” (Projekt manifesti me titullin origjinal “Për një Evropë të lirë dhe të bashkuar”. Dokument për promovimin e Europës së bashkuar, Itali 1941-‘44), që shkojnë përtej modelit komunitar, drejt një politike kontinentale me të vërtetë federale dhe që ka në horizont një ëndërr të madhe evropiane të rritur me brezin Erasmus: Shtetet e Bashkuara. Ky angazhim i imi lind nga bindja e thellë, se jemi duke jetuar një ndryshim teknologjik të paprecedentë në histori. Për këtë e shikoj të nevojshme krijimin e një politike të re, e cila të jetë në gjendje të japë përgjigjet e duhura problematikave etike dhe sociale që ky fenomen sjell, gjithmonë duke pasur në qendër të vëmendjes njerëzit.

Po përsa i përket zhvillimit të politikës shqiptare, çfarë të bën më tepër përshtypje? E keni ndierë ndonjëherë përkrahjen e politikës shqiptare, si emigrante? Apo ju ka munguar?

Në artikujt e mi flas shpesh për politikën shqiptare. Kam ndjekur me vëmendje zgjedhjet, dhe më ka bërë shumë përshtypje zhgënjimi i përgjithshëm i qytetarëve shqiptarë, në komentet e tyre i shikoja të dorëzuar, sikur procesi i votimit të ishte një humbje kohe kundrejt një statusi quo-je të gjërave të paracaktuara. Ja pikërisht për këtë unë mendoj se është e nevojshme t’u rikthehet besimi njerëzve, por mbi të gjitha do të ishte thelbësore krijimi i një Komisioni për të vërtetën dhe pajtimin kombëtar shqiptar, pasi mendoj se ekziston një vazhdimësi e turbullt midis të vjetrës dhe të resë, por mbi të gjitha ende nuk u kemi dhënë fytyra dhe emra atyre kriminelëve dhe asaj historie ndaj të cilës të gjithë duhet të distancohemi. Ky do të ishte një hap i vogël, i madh social drejt një Shqipërie liberale. Për t’iu përgjigjur pyetjes, mund të them se nuk kam ndierë kurrë mbështetjen e politikës shqiptare, por jam e sigurt se do të kenë pasur shumë për të bërë në këto vite.

Ndonëse, jeta juaj tashmë është përqendruar në Itali, por e keni menduar ndonjëherë rikthimin në Shqipëri. Nëse po, cili do të ishte kontributi, që mund të jepnit?

Le të themi se nuk përjashtoj asgjë, ashtu siç u shpreha në fillim do të më pëlqente të kontribuoja në mënyrë të dukshme dhe konkrete në Shqipëri, të vija në dispozicion të kolektivit bagazhin e eksperiencave të mia dhe profesionalitetin. Kam që tani disa ide shumë të vyera, nëse do të kisha mbështetjen e qeverisë shqiptare mund të veproja ndryshe dhe të isha më e shpejtë.

Dhe së fundmi, cilat janë projektet tuaja për të ardhmen, qoftë edhe në politikë?

Për momentin, ëndërroj Shqipërinë në Evropë. Ajo që di të them me siguri është se do të mbetem e njëjta vogëlushe ëndërrimtare e kodrave të Rrubjekës, në çdo situatë e integruar dhe e ndershme.

Biografia

Ka lindur në Durrës, ka jetuar e studiuar në Romë, Paris, Londër dhe Milano. Flet gjashtë gjuhë dhe është qytetare italiane dhe shqiptare, por mbi të gjitha evropiane. E angazhuar në botën e teknologjisë dhe inovacionit, dhe shumë e përfshirë në temat sociale, i dedikon një vëmendje të veçantë fenomenit të emigracionit. Kandidate në grupimin politik “10 Volte Meglio” (Itali) me objektivin për të kontribuar në një Itali të aftë për t’u përballur me fenomenin e globalizmit, si dhe për t'u matur me sfidat e ekonomisë botërore. Është diplomuar në Letërsi dhe Filozofi në “La Sapienza” dhe është e apasionuar pas komunikimit dixhital. Gazetare dhe blogere, shkruan për “Huffington Post” dhe ka bashkëpunuar me “Il Fatto Quotidiano”, “Il Giornale” dhe “Linkiesta”. Si autore dhe opinioniste ka marrë pjesë në emisione të ndryshme televizive dhe radiofonike kombëtare. Në 2017-n ka bashkëthemeluar një Holding komunikimi që merret me Transformimet Dixhitale, me qendra në 3 vende Evropiane përfshirë këtu dhe Shqipërinë, ku kanë një kompani që merret me software.

Marrë nga "Shekulli"