Për Genti Kamen, intrigat dhe kontradiktat e aktorëve me drejtuesit e politikës në Shqipëri janë historia autentike e vlefshme për të shkruar një skenar. Godina e Teatrit Kombëtar është shndërruar në mollë sherri mes Qeverisë dhe aktorëve, të cilët janë ndarë në dy klane.

Debati nisi me një përplasje të vetë artistëve; Gëzim Kame, Altin Basha e Arben Derhemi në “Top Show” përballë ministres Mirela Kumbaro. Basha iu kundërvu Kames, një qëndrim që gjeti mbështetjen e Ema Andreas.

Kaq u desh që konflikti të kulmonte me një përplasje virtuale, ku djali artist me karrierë ndërkombëtare i Kames, Genti Kame, shkroi një status kundër Ema Andreas dhe “përlyerjen” e saj me politikën. Më shumë se sa një avokaturë ndaj babait më karrierë të konsoliduar dhe që ka sakrifikuar për teatrin dhe aktorët, Genti tregon për “Panorama plus”, arsyen pse nuk do të hiqte asnjë presje nga ç’ka thënë për Ema Andrean.

Këto ditë në zhurmën e madhe mediatike të debatit për teatrin, ju jeni detyruar të shpreheni me gjuhë të ashpër nisur nga një postim i Ema Andreas, duke ngritur pyetjen se ku ishte ajo dhe kolegët e tjerë kur babai juaj, Gëzim Kame, mbeti pa punë për shkak të kundërshtimit që i bënte Edi Ramës kur ishte ministër Kulture? Çfarë të revoltoi kaq shumë?

Sipas vendit dhe kuvendi. Më vjen keq që debati mori këtë formë, por nuk i heq asnjë presje kur ky person quan Gëzim Kamen shprehimisht: “Komunist, zhvatës, lëpirës, etj.” dhe pretendon të jetë drejtor Teatri. Si mundet të jetë, kur nuk njeh njërin prej pedagogëve më të mirë të shkollës shqiptare, njërin prej regjisorëve më të suksesshëm të teatrit shqiptar, ndër të paktët që e kthyen nga një kazermë ushtrie të një katundi të madh, në teatër europian për nga përmbajtja? Atëherë kur nuk njeh njërin prej ikonave të teatrit, por i denigron ata publikisht në “Facebook”, si mund ta duash teatrin? Si mund të bërtasësh për teatrin? Me ç’fytyrë kërkon të bëhesh drejtoreshë Teatri?

Për çfarë historie të Ema Anderas bëhet fjalë, së cilës i referohesh në denoncinim tënd publik?

Epiteti me të cilin e quaj ta këtë person, është thjesht një sinonim që përmbledh disa pseudoartistë, që dje dhe sot për interesa politike i kthyen krahët njeriut që mbrojti jo tullat e Teatrit në vitin ‘98-të, por të gjithë llojin e teatërbërësit. Sakrifikoi jetën, rrogën, punën, pensionin. Luftoi kundër mafies dhe politikës. Kërkoi me ngulm ligjin për artistët, që ata të ishin të respektuar dhe të përfillur. Mbeti pa punë dhe i vetëm, pse e deshi teatrin me shpirt. Doli privat dhe po i vetëm ndërtoi një teatër të pavarur në vend që të ndërtonte pallat, shtëpi, kazino. Dhe ky njeri quhet hajdut. Nga soji i vet. Nga ata për të cilët luftoi gjithë jetën. Çfarë emri mund t’u vëmë tjetër?

Pas zhurmës së madhe që krijoi komenti yt, postove një tjetër status me një foto me shpifjet e ulëta dhe keqdashëse publike të këtij personi (Ema Andrea) ndaj artistit Gëzim Kame. Ka pasur ndonjë konflikt të fshehur mes Emës dhe Gëzimit?

Asgjë, mesa di. Por besoj se kur nuk ke një program, një ide, kur nuk ke kontribut, kur nuk ke kapacitetin për të qenë i vlefshëm qoftë profesionalisht, qoftë shoqërisht, do të shash kot, do të shpifësh, do të ulësh të tjerët në nivelin tënd që të dukesh, që të ekzistosh, që të të dëgjohet emri edhe ty.

Pas statusit tënd, Ema Andrea postoi një tjetër status në profilin e saj “Facebook”? Nënkuptonte babain tuaj?

Nuk e di kë nënkupton dhe sinqerisht koha dhe punët nuk ma lejojnë një humbje kohe të tillë me statuse dhe përralla “Facebook”-u. Lum ata, që e paskan mundësinë. Një gjë është e sigurt, që përgjithësisht pa rrjetet sociale, pa “Facebook” disa nuk do të ekzistonin. Ave Vox Populi!

Po ti, personalisht, çfarë marrëdhënie ke pasur me Ema Andrean ndër vite e sot, duke qenë se puna mund t’ju ketë përballur?

Asgjë s’na lidh, sidomos jo puna, pa modestinë më të vogël. Vonë kam dëgjuar për të kur më bëri një intervistë në një TV ku punonte. Nuk e mbaja më mend.

Flitet se Gëzim Kame dhe Ema Andrea kanë shpallur kandidaturat për drejtorë të Teatrit. Nëse do të distancohesh nga fakti që je i biri i Kames, cila është diferenca e madhe mes tyre për atë post?

Gabim. Gëzim Kame është larguar nga teatri përdhunshëm dhe që atëherë nuk ka bërë asnjëherë kërkesë për t’u rikthyer. Ai ka teatrin e tij privat dhe çdo ditë u bën thirrje artistëve të vinë të performojnë nëse duan.

Përveç saj, pamë edhe Altin Bashën e Arben Derhemin, që iu kundërvunë dhe replikuan publikisht me z. Gëzim Kame. Po për ata të dy, ç’mund të thuash?

Nuk i njoh mirë. Unë jam më shumë jashtë se sa në Shqipëri. Mesa kuptoj, aktorët janë të përçarë në klane, mbase edhe grupime politike. Po bërtitet shumë, por po diskutohet pak. Kjo krijon dhe keqkuptimin, sepse Gëzimi, në fakt, ka qenë gjithmonë në krah dhe në mbrojtje të tyre. Uroj të mos shkojnë drejt murit për interesa të vogla përfitimi dhe të dëgjojnë më shumë zërin dhe përvojën e më të vjetërve.

Si një aktor që je, çfarë strategjie mendon se mund t’i bashkojë aktorët, pra, mund të përmbushë kërkesat e tyre?

Shqipëria është një vend i vështirë dhe i varfër. Teatri duhet, por duhet edhe spitali, edhe rrugët, edhe shumë gjëra të tjera. Në këtë rast duhet folur, biseduar dhe diskutuar për ligjin. Të jetë i duhuri. Vetëm ligji i saktë do të japë mundësi për zgjidhjen e disa prej problemeve kryesore në themel. Të zgjidhen dy shtyllat kryesore, që kanë lidhje me teatrin.

Cilat janë këto dy shtylla, në këndvështrimin tënd?

E para, ristrukturimi i shkollës se arteve, sepse është në gjendjen më të rëndë se kurrë nën drejtimin e më të paaftëve dhe uzurpuesve të paskrupullt. Pa aktorë, s’ka teatër. Ç’duhet teatri i ri, nëse nuk e fillojmë nga abc-ja, pra, nga shkolla? E dyta, si më lartë në bazë të ligjit të ri, të zhvillohet sipërmarrja private teatrale. Atë që Gëzimi filloi 20 vjet më parë. Kjo do të hapë vende të reja pune për aktorët e skenës. Frustrimi i një artisti është shumë i madh, kur ai nuk ka data për shfaqjen, kur ai nuk ka skenë ku të hipë, kur ai lexon lajmet para kamerave televizive në vend që të jetë para kamerave të kinemasë. Duhet kuptuar ulëritja e tyre dhe duhet falur deri diku. Duhet që politika të jetë e sinqertë me ta dhe jo t’i gënjejë e nëpërkëmbë. Është çështje nderi.

Pagat e ulëta të aktorëve janë një tjetër diskutim i madh publik. Ti, si mendon se mund të rritet standardi?

Nuk ka çelës magjik. Shqipëria është vend i varfër. Publiku është i varfër. Edhe në vendet më të pasura, prapë në kulturë ndihmon pak shteti, por ky yni e dimë si është. Çfarë t’i kërkosh këtij?! Është po aq i këputur sa suvaja e teatrit. Mbase cilë- sia. Mbase do të duhej t’i shmangeshim më shumë komercializmit humoristik sa për konsum të brendshëm të disa veprave, sepse jemi vend i vogël. As 3 milionë banorë, as një lagje kryeqyteti europian nuk jemi. Më shumë cilë- si mund të krijojë diçka më shumë shitje jashtë kufijve. Por prapë nuk do të jetë fushë me lule, për aq kohë sa gjendja e përgjithshme ekonomike e vendit do të jetë në këtë pikë.

Një aktor dhe artist i vërtetë, a mund të jetë një drejtues dhe menaxher i mirë i një institucioni arti dhe e kundërta, pra, që mund të arrijë të ndryshojë realitetin?

Mbase, nëse e do me shpirt atë vend dhe nuk punon për rrogën, por paguhet për punën.

Xhelozitë, intrigat apo urrejtjen mes artistëve dhe kontradiktat e tyre me drejtuesit e politikës, me cilën vepër të njohur botërore do i krahasoje? Xhelozia është normale dhe shtyn për të bërë më mirë. Sa për veprën, kjo e jona është kaq autentike sa do të duhej të shkruhej enkas një skenar.

Panorama Plus