Durrës/ Mision sekret i Berlinit në port. Ultimatum: Jo media shqiptare

Postuar: 09/07/2015 - 19:22

·       “Hija” e mosmarrëveshjes midis APD-së dhe koncesionarit të Terminalit Lindor për licencimin e shërbimit stivador (ngarkim-shkarkimi)

·       Sekretarin e Shtetit në Ministrinë Federale të Ekonomisë dhe Energjisë Rainer Baake nuk e shoqëron në Durrës ambasadori në Tiranë Hellmut Hoffmann, por zëvendësja e tij, teksa e presin ministri shqiptar i Transportit dhe Infrastrukturës Edmond Haxhinasto dhe drejtori i përgjithshëm ekzekutiv i APD-së Gazmend Shalsi

NGA THANAS MUSTAQI

DURRËS, 9 korrik 2015 –  Vizitë incognito (?!) e një delegacioni gjerman të nivelit të lartë në portin e Durrësit, që kërkuan shmangien e medieve. Berlini është në pozitë të vështirë për incidentet e investitorëve gjermanë portin e Durrësit. Nuk përjashtohet të ketë zyrtar a diplomat me lidhje të dyshimta.

HESHTJE SHTYPI!

Të enjten, më 9 korrik 2015, ora 8:30, ka mbërritur  në portin e Durrësit një delegacion gjerman i kryesuar nga Sekretari i Shtetit në Ministrinë Federale të Ekonomisë dhe Energjisë Rainer Bake (Baake). Delegacioni shoqërohej nga zëvendës-ambasadorja e Republikës Federale të Gjermanisë Anke Olshtajn (Holstein); drejtorja ekzekutive e DIHA-s (Deutsche Industrie-und Handelsvereinigung in Albanien – Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri) Anette Kasten. Delegacioni u prit në mjediset e Autoritetit Portual Durrës (APD) nga ministri shqiptar i Transportit dhe Infrastrukturës (MTI) Edmond Haxhinasto dhe drejtori i përgjithshëm ekzekutiv i APD-së Gazmend Shalsi dhe zyrtarë të tjerë të administratës. Me kërkesën e palës gjermane, mediet qendrore dhe vendore nuk u njoftuan dhe as nuk u lejuan të ishin të pranishme në bisedimet kokë më kokë me mikpritësit shqiptarë, tha zyra e shtypit e drejtorisë së përgjithshme të APD-së. Kjo u duk dhe nga fakti se zëdhënës të MTI-së, deri në orën 16:00 nuk dhanë asnjë njoftim për eventin e rëndësishëm, ku ishte i pranishëm titullari i dikasterit.

ZYRTARISHT

Sipas një njoftimi të APD-së, pasi u uroi mirëseardhjen mysafirëve nga Gjermania, drejtori i përgjithshëm ekzekutiv i APD-së Gazmend Shalsi i njohu zyrtarët gjermanë me disa nga karakteristikat e portit më të madh të vendit. Ai vlerësoi investimet e rëndësishme të qeverisë shqiptare për rikonstruksionin e portit të Durrësit dhe kthimin e tij në një port tërheqës për investitorët vendas dhe të huaj. 80 për qind e portit tashmë është dhënë me koncesion, – tha më tej Shalsi, duke nënvizuar se në hapësirën portuale ka ende mundësi investimi për të ardhmen, duke synuar dhënien me koncesion edhe të Terminalit perëndimor, i vetmi që vazhdon të menaxhohet nga APD. Përvoja e krijuar me kontratat e koncesioneve në 2-3 vitet e shkuara do t’i shërbejë edhe thithjes së investimeve në të ardhmen. Duke folur për bashkëpunimin aktual me një kompani gjermane nga Hamburgu për zhvillimin e kalatave dhe zonave portuale, drejtori i APD-së Gazmend Shalsi i ftoi investitorët gjermanë të jenë pjesë realizimit të projekteve të ardhshme për portin e Durrësit. Ministri shqiptar Edmond Haxhinasto nënvizoi rëndësinë e portit të Durrësit si portë e Korridorit 8 për transportin e mallrave nga rajoni Adriatik në atë të Detit të Zi. Sekretari Bake u interesua veçanërisht për kapacitetet portuale dhe lidhjet e tij me qytetin e Durrësit. Më pas delegacioni i shoqëruar nga Ministri Haxhinasto dhe Drejtori Shalsi zhvilloi vizita në Terminalin e Trageteve AFTO (Albanian Ferry Terminal Operator), ku u prit dhe u shoqërua nga administratori i koncesionit Simon Aleksander (Alexander) Harm, si dhe në Terminalin Lindor (EMS, Albanian Port Operator), ku u prit nga Çarls Geri Xhilspaj (Charles Gary Gillespie), përfaqësues i posaçëm i administratorit të koncesionit Manfred Myler (Mueller).

TENSIONI I LEHTË

Nuk dihet pse Sekretarin e Shtetit në Ministrinë Federale të Ekonomisë dhe Energjisë Rainer Bake nuk e shoqëroi në Durrës ambasadori Elmut Ofman (Hellmut Hoffmann), por zëvendësja e tij. Ndonëse biseda, më 9 korrik 2015, në zyrat e APD-së ishte normale dhe kaloi në mënyrë të përzemërt, “Dyrrah”-u mësoi për një tension të lehtë. Lidhur me mosmarrëveshjet që mund të lindin me ndonjë koncesionar gjerman në port, drejtori i përgjithshëm ekzekutiv i Autoritetit Portual Durrës Gazmend Shalsi bëri të qartë se ato zgjidhen me transparencë, negociata, gjithmonë duke respektuar legjislacionin dhe kontratat dhe jo me gazeta. Kuptohet, i zoti i shtëpisë nuk përmendi emër, por ishte fjala për Terminalin Lindor, koncesionari (EMS, Albanian Port Operator) i të cilit nuk pranon të licencohet për shërbime stivadore (ngarkim-shkarkimi). Sikurse është bërë e ditur, administratorit i koncesionit Manfred Myler (Mueller) ka përdorur të përditshmen më të madhe gjermane të biznesit “Handelsblatt”, që më 19 qershor 2015 ka botuar shkrimin që akuzonte APD-në për mitmarrje. Titulli ishte mjaft intrigues: “Nuk ka ryshfet, nuk ka leje”. Shalsi ua rikujtoi zyrtarëve gjermanë këtë fakt edhe një herë.

NJË DITË MË PARË

Është interesant, një ditë më parë, më, më 8 korrik 2015, në një nga panelet e Konferencës Ekonomike Gjermani-Shqipëri, e cila u organizua me rastin e vizitës në Tiranë të Kancelares Angela Merkel, një nga zyrtarët gjermanë në Ministrinë Federale të Ekonomisë dhe Energjisë bëri një deklaratë bombë, duke përsëritur “Handelsblatt”-in për korrupsionin në portin e Durrësit. Kjo e ka detyruar drejtorin e përgjithshëm ekzekutiv të APD-së Gazmend Shalsi të replikojë. Shalsi tregoi për “Dyrrah”-un se bëri të qartë publikisht se administratori i koncesionit Manfred Myler (Mueller), i pranishëm në panel, i ka dërguar një letër, ku konfirmon se s’ka deklaruar asgjë për korrupsion të APD-së, por ishte një keqinterpretim i gazetarit gjerman. Shalsi tha se problemi i licencimit të shërbimit stivador është në proces gjyqësor.

Me sa duket, incidenti i 8 korrikut në Tiranë, ka detyruar Sekretarin e Shtetit në Ministrinë Federale të Ekonomisë dhe Energjisë të Gjermanisë Rainer Bake të kërkojë heshtje shtypi më 9 korrik 2015 në Durrës. Berlini është në pozitë të vështirë për incidentet e investitorëve gjermanë portin e Durrësit. Nuk përjashtohet që në këtë ministri dhe ambasadën gjermane në Tiranë të ketë zyrtar a diplomat me lidhje të dyshimta. Kështu u shmangën pyetjet e mundshme të bezdisshme të gazetarëve.

Fotot: Tristan Sherifi & Gëzim Kabashi.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/ 

 

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Nëse nuk je i vëmendshëm kur bën prenotimin, rrezikon që pushimet e ëndërruara gjithë vitin, të kthehen në makth, madje në ndonjë rast të

Qeveria synon të paguajë faturën e dixhitalizimit të mediave në Shqipëri, duke vënë në dispozicion të operatorëve audiovizivë privatë një

Vendimi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda në Tiranë për të lënë të lirë një pilot Italian të dyshuar për trafik ndërkombëtar lëndësh nark

Emisioni prestigjioz “Special Investigation” i televizionit francez “Canal +”, i ka kushtuar një hetim të gjatë rrugës nëpër të cilën kal

23 shtator 2015 – Portali “DurresLajm” mësoi se, më 18 shtator 2015, Komisioni i Prokurimit Publik vendosi të mos pranoj

7 gusht 2015 –  Editimin e lajmit për bllokimin, më 6 gusht 2015, të anijes shqiptare të mallrave “Milton” në portin ita

 *Dyshime të forta për sigurinë në lundrim të anijes.

DURRËS, 12 qershor 2015 – Sikurse ka njoftuar “Dyrrah”-u (shih:

·       Detyrimi ndaj hekurudhave të tjera për orëqëndrimet e vagonëve në territorin shqiptar, deri më datën 31 tetor 2014, arrin

·       EKSKLUZIVE/ EMS APO kërkon të bëjë shërbim ngarkim-shkarkimi pa lejen e Autoritetit Portual Durrës duke dëbuar kompaninë