Nga Gertjana Daçi

Ne nuk dimë asgjë por kjo nuk na pengon të komentojmë çdo gjë e gjithçka. Të ngremë gishtin e akuzës, sidomos në raste të tilla kur pjesë e fatkeqësisë është një femër se me patjetër ajo e ka fajin.

Cilado qoftë e vërteta e Xhuljetës, e cila është varrosur së bashku me të në të shtunën e dasmave, a ky duhet të ishte ky fundi?
Sigurisht që unë them jo por pyetjen e bëj për ata njerëz që prej ditësh shkruajnë e vjellin vrer lart e poshtë për dikë që la çantën e shkollës varur e nuk jeton më.

Që teksa përpiqej të hidhte një hap për të ardhmen, kishte fatin e zi të kalonte në atë rrugë ku e priste fundi. 
As të tilla tragjedi nuk na bëjnë më të mirë e më të heshtur, as muaji i shenjtë i Ramazanit nuk i pastron dot kësoj zemrash.

Negativiteti që keni e që përcillni është ajo për çfarë nuk kanë nevojë familjarët e Xhuljetës në këto ditë të vështira.
Mbajeni për vete helmin e mos prekni plagën që s'do mbyllet kurrë e rrjedh gjak, vuajtjen që s'do shuhet, mungesën që s'do mbushet.

Ata prindër të shkretë kërkojnë fëmijën që rritën me mund e me të cilën nuk u ngopën, shpresojnë të kthehet nga e njëjta derë që doli për të mos hyrë më kurrë e gjallë.

Xhuli e la Arbën e vogël vetëm, iku nga kjo botë pa u rritur vetë akoma sepse ashtu vendosi dora e shejtanit, iku pa mundur të lexojë tezën e provimit apo përgjigjen e testit të kaluar, pa realizuar ëndrrat, pa e parë veten si do dukej me vellon e bardhë që mbante veshur teksa familjarët e përcillnin për në banesën e fundit.

Cilido qoftë gabimi, askush nuk mund të bëhet zot për jetën e tjetrit, dashuria nuk vret, dashuria shton jetë!
Unë nuk munda t'i jap lamtumirën e fundit Xhulit, për ta kujtuar përherë me atë fustanin e kuq me pika të bardha që mami im na e kishte qepur afërsisht njësoj të dyjave, e njëra më kokërrodhe se tjera loznim pa pushim.

PS: Nuk iu vë faj këtyre që kritikojnë e përbaltosin një fëmijë se helbete gratë, motrat e vajzat e tyre janë nga ata shenjtoret që vetëm lexojnë Kuran e Bibël, e rrugë të vetme jashtë pragut të shtëpisë bëjnë atë drejt xhamisë a kishës!