Pasditen e sotme punonjësit e 4 drejtorive në varësi të bashkisë së Durrësit nisën punën për largimin e masivit të dherave të rëna nga faqja e kodrës mbi njërin kah të rrugës që të çon në Currila.

Burime pranë bashkisë, konfirmuan për DurrësLajm se aksioni për largimin e dherave, që prej mëse një jave kishin bllokuar njërën korsi të kësaj rruge, kishte nisur pas një urdhri të drejtpërdrejtë të dhënë nga kryebashkiaku Vangjush Dako.

Largimi i dherave ishte një lajm i mirë për të gjithë qytetarët durrsakë, pasi panorama me të cilën përballeshin çdo ditë ata që i drejtoheshin kësaj zone për të kaluar paraditen apo pasditen buzë detit ishte një katrahurë e vërtetë.

Por urdhri nga ana e Dakos për ndërhyrjen e shpejtë në terren pikërisht disa orë, pasi ish-kryeministri Berisha e akuzoi kryebashkiakun se “braktis banorët në fatkeqësi” duket si një reagim pas tërheqjes së veshit nga ish-lideri demokrat.

Kjo nuk është e para herë që Berisha lakon emrin e Dakos në postimet e tij, pasi akuzat e ish-kryeministrit ndaj kryebashkiakut të Durrësit janë të larmishme.

Por kjo është hera e parë, kur këmbana e alarmit e lëshuar nga qytetari dixhital u dëgjua nga Dako dhe ky i fundit reagoi me shpejtësi.  

“Aty jan braktisur rreth 5 shtepi dhe jan mbyllur 3 biznese pasi dheu gati po i mer perpara,ka 1 jav qe as dheu nuk pastrohet,nderkohe per te bere pallatet qe mbin cdo dite ne Durres, kamionet dhe skavatoret i hapin gropat me mijra meter katror brenda nates dhe dheut ja gjejn vendin. eshte 1 situate dramatike dhe po te kishte prokurori dhe shtet Vangjush Dako dhe komplet zinxhiri qe investuan ne ate projekt mafioz miliona euro para fushates 2015 qe sot jan bere balte, do ishin ne burg. Un jam i mendimit qe po te meret 1 dron dhe te filmohet gjendja nga lart do te shikohet se cfare drame eshte”,- denonconte mbrëmjen e së dielës qytetari dixhital.

Që Dako e njeh shumë mirë situatën e krijuar në rrugën e Currilave këtë se vë askush në diskutim. Por vonesa në ndërhyrje ngjalli jo pak indinjatën e qytetarëve durrsakë, të cilët i kanë shumë të freskët në kujtesë 2 milion eurot e hedhura 3 vite më parë për rehabilitimin e faqes së kodrës, investim që e tretën reshjet e shirave dhe u kthye në baltë që nuk shqitej nga automjetet që kalonin në këtë aks.

Nuk është çudi që denoncimi i Berishës të jetë lexuar nga stafi i Ramës e ata t’ia kenë përcjellë këtë denoncim kryeministrit e ky i fundit t’i ketë kërkuar Dakos zgjidhjen urgjente të situatës, e kryebashkiaku t’i ketë përcjellë më pas menjëherë urdhrin vartësve të tij.

Ndoshta Dako ka dëgjuar që sinoptikanët kanë parashikuar përmirësimin e motit në ditët e ardhshme, ku më në fund shirat do t’ia lënë rradhën diellit të pranverës. E meqë moti përmirësohet e presupozohet të mos ketë më reshje, Dako mund të ketë menduar se pikërisht kjo është koha e përshtatshme për të dërguar mjetet e rënda për largimin e dherave. Fundja pse t’i dërgosh disa herë punonjësit dhe mjetet? Më mirë të presësh të pushojnë shirat dhe ndërhyn njëherë e mirë!

Të gjitha këto janë thjesht supozime, pasi kryebashkiakut mund t’i ketë shkuar vetë mendja që të kryente këtë aksion pasditen e sotme…

Gjithsesi, për një kryebashkiak që është në mandatin e tretë të qeverisjes së qytetit të Durrësit dhe që ende nuk e ka pohuar se s’do të kandidojë për një mandat të katërt kjo ndërhyrje ishte shumë e vonuar. Turizmi është një nga pikat e forta të Durrësit por kur sheh që zonat turistike degradojnë dhe nuk mirëmbahen nga pushtetarët që kanë marrë votën për të bërë më të mirën për qytetin, natyrshëm që gjithkush do të bashkohej me kërkesën e qytetarit dixhital që prokuroria të nisë hetimet e të çojë para drejtësisë abuzuesit.