Biznesmeni Nikollaq Neranxi, ka dalë kundër kreut të Dhomës së Tregtisë, Nikolin Jaka dhe kryeministrit Edi Rama, të cilët i quajtën vandalë, protestuesit.

Me anë të një statusi të gjatë në Facebook, Neranxi shkruan, se Rama dhe Jaka janë vënë në shërbim të oligarkëve, duke braktisur përfundimisht qytetarët dhe biznesin. Sipas tij, vandalë janë ata që po i pinë gjakun popullit dhe jo protestuesit.

Ja postimi i Neranxit:

Për Ramën dhe oligarkët e tij të fëlliqur… për kuksianët dhe varfërinë e tyre fisnike!

Kur pashë sot të rreshtuar të gjithë biznesmenët e Ramës që folën me gjuhën e tij, mu kujtuan disa ngjarje të rëndësishme për sipërmarrjen e lirë ku ne duhej të reagonim që të mos falimentonim. Qeveria e Ramës vendosi me ligj rreth kater vite më parë, që për një gabim edhe banal, një biznes gjobitej me 100 milionë lekë. Shoqata e Tregtarëve që unë drejtoj, me anëtarë kryesisht tregtarë të vegjël, kërkoi ndihmën e Dhomës së Tregtisë (ku ne paguanim tarifë vjetore), që të çonim ligjin në Gjykatë Kushtetuese. Nikolin Jaka me shokë nuk pranuan. Siç e dini Gjykata e hodhi poshtë atë ligj si antikushtetues. Më pas i kërkuam ndihmë Dhomës së Tregtisë dhe disa Shoqatave të tjera, që të na mbështesnin për të çuar në Kushtetuese paketën e taksave vendore të Bashkisë Tiranë, e cila penalizonte biznesin deri në falimentim. Dhoma e Tregtisë pranoi, por u tërhoq në momentet e fundit. Padyshim e shitën kauzën e sipërmarrjes së ndershme, për favoret e tyre personale.

Sot dalin e thonë, mos na quani oligarkë por sipërmarrës!!!

Sipas shpjegimit në fjalor, një oligark është dikush që pasurohet me ndihmën e pushtetit në mënyrë të jashtligjshme. Ata që dolën sot të na tregonin se populli duhet të respektojë investimin privat, janë të vetmit përfitues të tenderave publike, koncesioneve, PPP-ve, shfrytëzues të pasurive natyrore dhe kombëtare dhe pronarët e kullave në Tiranë.

Pyetja që unë kam në këtë rast është; Si ka mundësi që janë jo vetëm hajdutë të pangopur që duan të gllabërojnë çdo gjë, por edhe kaq të pafytyrë që na japin edhe leksione se si duhet të sillen kuksianët?

Sipas oligarkëve të Ramës, reagimi i kuksianëve krijon imazh të keq për sipërmarrësit e huaj dhe ata më pas nuk vijnë të investojnë në Shqipëri!! Pra me këtë rast, shërbimi për pushtetin është i plotë, investitorët e huaj mund të vinin në Shqipëri, por kur panë kuksianët që protestuan, nuk erdhën!! Ja ku e gjetëm edhe arsyen pse ska investime të huaja! Fajin e kanë kuksianët, ata njerëz që u bënë këto ditë pjesë e ekraneve tona dhe ia përplasën në surrat Ramës, Nikolinit dhe oligarkëve të tjerë, varfërinë e tyre. Ashtu të rreckosur dhe të dëshpëruar prej varfërisë së tejskajshme, ata e dhanë mesazhin; Nuk duam më që në kurrizin tonë të dërrmuar të pasurohen pushtetarët dhe klientët e tyre! Mallkuar qofshi o gjakpirës të pangpopur!