Njëri ndër radarët e Aeroportit të Prishtinës është rregulluar për vetëm 80 euro, duke i shpëtuar kështu rreth 8 milionë euro aeroportit. Ersen Shileku tregoi për emisionin “Jeta në Kosovë” se si njëri ndër radarët e Aeroportit të Prishtinës qëlloi të prishej në kohën kur nuk kishte kontratë për mirëmbajtje por zyrtarë të ASHNA-s gjetën zgjidhje alternative.

Mjeshtri, i cili i ishte dërguar për modifikim pjesa e nevojshme për riparimin e radarit, Nagip Goga, ka rregulluar këtë pajisje për 80 – 82 euro duke i shpëtuar kështu 8 milionë euro Aeroportit të Prishtinës.

“Në telefon më kanë thirrur. Problemi ka qenë se pjesa rezervë që e kanë marrë prej Shqipërisë nuk ka qenë adekuate. Është një pllakë lidhëse, këtë pllakë e kemi ndërtuar. Unë nuk jam njohës i aviacionit, as i radarëve. Sa më kujtohet mua ka kushtuar diku nja 80- 82 euro”, tha Goga.

Zv. Drejtori në Agjencionin për Shërbime të Navigacionit Ajror, Ersen Shileku tregoi rreth problemeve që kishin atëherë me radarët.

“Problemi me radar vjen pas një ndërprerje e kontratës nga ana e furnizuesit me këtë projekt. Ne i kemi dy radarë, një primar, një sekondar. Ata e ndërprejnë kontratën për shkak të një borxhi… E kërkova nga departamenti teknik të shikojmë nëse ka nevojë të bëjmë kontraktim të ri për mirëmbajtje. Normalisht injorohet kërkesa ime, bëj prapë dhe nuk marr përgjigje. Më 30 dhjetor vjen deri te prishja e radarit sekondar. Kur nuk funksionon radari në këtë rast nuk ka ‘back-up’ po të dështojë edhe një pjesë tjetër”, shpjegon Shileku.

Kjo pajisje ka kushtuar rreth 8 milionë euro, shkruan gazetametro.net.

Ai tha se në mungesë të kësaj kontrate, pjesa e nevojshme për riparimin e radarit huazohet nga Shqipëria dhe e njëjta pjesë prapë duhet të modifikohet.

“Sipas të gjitha gjasave kanë komunikuar me Shqipërinë për ta huazuar një nyje rrotulluese dhe e sjellin në Kosovë dhe gjatë testimeve e shohin se nuk po i vjen taman dhe shkojnë e modifikojnë pak. Ndoshta për ta zgjidhur shpejt e shpejt”, tha Shileku. /gazetametro.net