NATO-ja ka një prani të fortë në Kosovë dhe është e gatshme të përgjigjet nëse është e nevojshme. Kështu u shpreh të martën Admirali amerikan James Foggo, komandant i forcës së NATO-s në Napoli në një konferencë për shtyp në Kosovë.

“KFOR-i është i fortë dhe nuk parashikojmë të kemi probleme në periudhën afat-shkurtër apo afat-gjatë. Prania jonë këtu, me mbi 4 mijë trupa të pajisura me automjete të rënda, me helikopterë, shoqërohet me vetëdije rrethanore: ne veprojmë kur autoritetet na kërkojnë ndihmë,” tha komandanti.

Admirali Foggo po ashtu tha se ideja e ndarjes së Kosovës në vija etnike, një ide e ngritur nga Serbia në bisedimet e fundit me Kosovën, duhet të gjejë zgjidhje përmes dialogut mes dy palëve. Propozimi i serbëve për të ndarë Kosovën, duke bashkuar veriun e saj me Serbinë, është hedhur poshtë nga Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Presidenti Thaçi do të takohet me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç në Bruksel pas përfundimit të verës, për të vazhduar dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, i cili deri tani nuk ka dhënë shumë rezultat për normalizimin e marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit./VOA