Gjykata turke ka caktuar masën e arrestit me paraburgim për gjashtë shtetasit turq të ekstraduar në mënyrë të fshehtë nga Kosova. Ata akuzohen nga drejtësia e Turqisë se janë pjesëtarë të organizatës së imamit Fetullah Gylen, i cili konsiderohet nga presidenti Rexhep Tajip Erdogan si drejtues i një organizate terroriste.

Vendimi për paraburgimin e të dyshuarve Cihan Özkan, Kahraman Demirez, Hasan Hüseyin Günakan, Mustafa Erdem, Osman Karakaya dhe Yusuf Karabina është caktuar nga një gjykatë penale në Stamboll. Të dyshuarit janë sjellë në gjykatë pas marrjes paraprake të dëshmive nga ana e Prokurorisë së Stambollit dhe Byrosë së Terrorizmit dhe Krimeve të Organizuara.

Ndërkohë, operacioni i 29 Marsit në Kosovë, shkaktoi një përplasje të ashpër diplomatike mes dy vendeve. Shefi i qeverisë, shkarkoi ministrin e brendshëm dhe kreun e inteligjencës, për atë që e ka cilësuar si grabitje të personave në Kosovë. Ndërsa atij i është përgjigjur vetë presidenti Erdogan, i cili e ka kërcënuar me rrëzim nga pushteti, duke thënë se populli kosovar nuk do mbështesë një kryeministër si Haradinaj.