Qeveria e Kosovës ka shfuqizuar vendimin e mëhershëm, për pezullim të vendimit për ngritjen e pagave të zyrtarëve shtetërorë. I pari i Qeverisë, Ramush Haradinaj, ka thënë se në pajtim me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese shfuqizohet vendimi i 1 shkurtit, që parasheh pezullimin e vendimit të Qeverisë për rritjen e pagave.

“Vendimi ynë është pezulluar në respekt të procedurave ligjore dhe në respekt të procesit të hapur në Kushtetuese. Pasi vendimi i Kushtetueses tani është fuqiplotë, atëherë vetëkuptohet, vjen shfuqizimi i pezullimit” tha Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj ka thënë se nga kjo rritje e pagave më se shumti përfitojnë gjyqtarët dhe prokurorët. Sipas tij, numri i pushtetarëve që përfitojnë nga rritja e pagës, është shumë i ulët nëse krahasohet me 600 gjyqtarë dhe prokurorë.

Ne flasim për rend dhe ligj, po hartojmë ligje të mira. Sot u ka shkuar përkrahja më e fuqishme institucioneve të zbatimit të ligjit, nga sot 600 gjyqtarë dhe prokurorë i kanë pagat me ngritje”, tha Haradinaj.

Ai ka folur edhe për reagimin e BSPK-së, të cilët kanë kërkuar rritjen e pagave edhe për pjesën tjetër të punëtorëve, duke thënë se rritja e pagave është nivelizim i pagave të zyrtarëve të shtetit. Kryeministri Haradinaj ka thënë se pagat me rritje zyrtarët e shtetit do t’i marrin që nga koha kur është marrë vendimi për rritje të pagave.