Një kikbokser shqiptar është në bankën e të akuzuarit në Gjykatën Penale të Bazelit, i përballur me akuzën e tentimvrasjes së qëllimshme dhe tentim të shkaktimit të lëndimit të rëndë trupor. Ai ngarkohet se ka ushtruar dhunë të vazhdueshme ndaj bashkëshortes së tij. Goditje pastaj kërkim faljeje dhe pajtim, kjo ka qenë rrjedha e cila është përsëritur përgjatë tri viteve, ka thënë (ende) bashkëshortja e 30 vjeçarit, shkruajnë Basellandschaftliche Zeitung dhe telebasel.ch.

Ndërsa herën e fundit, goditja e tij mbi gruan ka pasur pasoja të rënda edhe për foshnjën e tyre të përbashkët të cilën e ëma po e mbante në krah, transmeton albinfo.ch. Foshnja kishte pësuar me atë rast thyerje të kafkës, edhe pse më vonë ajo ishte shëruar.

I akuzuari ka qenë edhe më parë i dënuar për rrëmbim dhe delikte të trafikut. Ai po mbahet në paraburgim që nga marsi i vitit 2017.

Bashkëshortja e pranishme në sallë, dukej e frikësuar dhe gjatë marrjes në pyetje disa herë ka shpërthyer në lot, transmeton albinfo.ch. 

Në fillim të marrjeve në pyetje, nën presionin e burrit të saj, ajo kishte dhënë deklarata të tjera, ka theksuar prokurorja e rastit në pledoajenë e saj. Ndërsa xhelozia nga të dy palët ka luajtur gjithmonë një rol në këtë marëdhënie.

Procesin gjyqësor e ka përcjellë edhe familja e të akuzuarit gjë që ka bërë të elektrizohet atmosfera në sallë. Vendimin, Gjykata Penale e Bazelit parashihet ta shqiptojë këtë të enjte.