Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha të enjten se “Gjykata e Posaçme as nuk mund të shfuqizohet dhe as nuk do të shfuqizohet” dhe se ky është qëndrim i shtetit të Kosovës.

Ai i bëri këto komente në një takim me gazetarë në Prishtinë në prag të kremtimeve me rastin e dhjetë vjetorit të pavarësisë së Kosovës. Presidenti Thaçi përmendi faktin se ai ishte nxitësi kryesor për miratimin e ngritjes së gjykatës në vitin 2015 dhe se qëndrimet e tij ndaj gjykatës janë të pandryshueshme.

Ai tha se në të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare ka pasur parasysh arritjen e marrëveshjeve me bashkësinë ndërkombëtare, duke e vlerësuar opinionin publik, interesin e shtetit dhe ruajtjen e partneritetit me miqtë ndërkombëtar.

“S’ka qenë e lehtë për 20 vite koordinimi dhe harmonizimi i opinioni publik, interesave të vendit dhe asaj ndërkombëtare”, tha Thaçi.

Ai tha se Gjykata Speciale është padrejtësi historike ndaj Kosovës, pasi Kosova ka zhvilluar luftë mbrojtëse dhe ka kaluar në procese hetimore të UNMIK-ut, Hagës, EULEX-it etj.

Sipas tij, Specialja është një padrejtësi ndaj Kosovës dhe vjen në një moment që një raport i fabrikuar e i rremë është më i rëndësishëm se gjithë ato masakra që janë kryer ndaj qytetarëve të Kosovës.

Presidenti tha se në kohën kur është themeluar Gjykata Speciale ose është dashur të themelohet përmes OKB-së ose ta themelonin sipas legjislacionit vendor, në koordinim me mbështetësit e pavarësisë së Kosovës.

“Në këtë dilemë kam marrë orientim të punojmë ngushtë me partnerët e pavarësisë së Kosovës”, u shpreh presidenti.

Ai tha se kanë vendosur ta themelojmë gjykatën pasi sipas tij nuk ka arsye që Kosova të frikësohet dhe siç tha presidenti “është diçka që duhet ta gëlltisim për hir të partneritet me SHBA-të dhe BE”.