Policia greke ka sekuestruar 1 kg kokainë të fshehur në autobusin e linjës Tiranë – Athinë. Sipas mediave greke, autoritetet kufitare të Greqisë kishin informacion se autobusi që ishte nisur nga Tirana dhe po udhëtonte drejt Greqisë, po transportonte edhe lëndë narkotike.

Agjentët kufitarë ushtruan kontrolle të hollësishme në autobus, deri sa gjetën kokainën të fshehur pranë sediljes së shoferit. Ky i fundit, kur kuptoi se policia kishte zbuluar drogën, braktisi autobusin dhe u largua me vrap drejt territorit shqiptar.

Pasagjerët e autobusit që po udhëtonin drejt Athinës, qëndruan për disa orë në Kakavijë, deri sa mbërriti një tjetër autobus nga Shqipëria.

Hetimet e policisë janë duke vazhduar për të zbardhur tërësisht këtë trafik ndërkombëtar.