Një aksident i rëndë ka ndodhur pasditen e të hënës, rreth orës 19:10, në autostradën Tiranë-Durrës.

Në aksident u përfshinë tre automjete, një “Benz”, një “Jeep” dhe një “Pegueot”. Makina tip"Jeep" ku po udhëtonte 25-vjeçari nga Durrësi, Xhemal Goga, i cili ndërroi jetë në spital,  ka humbur kontrollin në autostradë dhe nga shpejtësia ka "fluturuar" mbi trafikndarëse duke përfunduar në krahun tjetër të rrugës.

Ndërkohë në momentin që "Jeep"-i kaloi trafikndarësen u përfshinë në aksident edhe dy makinat e tjera, “Benz”-i dhe “Pegueot”, që ishin duke lëvizur normalisht në drejtimin e tyre. Nga kontakti i fortë, makina tip “Pegueot” doli nga rruga, ndërsa ‘Benz’-i pësoi dëmtime të shumta.

"DurrësLajm" mëson se 25-vjeçari Goga ishte punonjës i Urgjencës së Durrësit, konkretisht, shofer i ambulancës.