Policia e Burrelit ka vënë në pranga 15-vjeçarin shkaktar për aksidentin e ndodhur dje në njësinë Komsinë. Sipas të dhënave zyrtare, është arrestuar 15-vjeçari me iniciale Xh.N. që drejtonte automjetin që përplasi për vdekje 29-vjeçarin Gentian Hamiti dhe 35-vjeçarin Alfred Balla.

Grupi hetimor ka rindërtuar skenën e ngjarjes, sipas së cilës, mësohet se automjeti që drejtohej nga minoreni u përplas fillimisht me motorin dhe më pas goditi 3 persona në trotuar. Aksidenti ndodhi mbrëmjen e djeshme rreth orës 19.00, në vendin e quajtur ‘Lapidari’, njësia Administrative Komsi.

Nga përplasja mbeti i plagosur edhe 17-vjeçari A.H., që ndodhet në spitalin e Traumës në Tiranë.

Pas ngjarjes, 15-vjeçari me makinë u largua nga vendi i aksidentit por më pas u paraqit bashkë me të atin në polici.