Një ditë pas aksidentit në Skrapar, ku një autobus me nxënës shkolle doli nga rruga dhe 10 prej tyre përfunduan të plagosur, policia arrestoi drejtuesin e mjetit. Policia ka njoftuar sot se ka arrestuar shtetasin Astrit Hysi, 52 vjeç, banues në fshatin Vërzhezhë, Skrapar.

Njoftimi i policisë:

“Më datë 12.03.2018, nga Specialistët e Seksionit për Qarkullimin Rrugor u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Astrit Hysi, 52 vjeç, banues në fshatin Vërzhezhë, Skrapar.

Arrestimi i tij u bë pasi, në rrugën dytësore Vërzhezhë – Çorovodë, në vendin e quajtur “Kthesa e Minos”, duke drejtuar mjetin tip “Benz” autobus, me targa AA 245 KE humbi kontrollin e mjetit dhe doli nga rruga duke u përmbysur në përrua, ku për pasojë u lënduan nxënësit që udhëtonin me këtë automjet”.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat për veprën penale “Shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor” parashikuar nga neni 290 i Kodit Penal.