3 persona kanë vdekur, ndërsa disa të tjerë kanë mbetur të plagosur në një aksident rrugor në aksin Shkodër – Velipojë.

Drejtuesi i mjetit tip "Alfa Romeo", E.P. 40 vjeç, djali i tij 9-muajsh R.P. dhe vajza 10-vjeçare N.P. kanë ndërruar jetë në spital, ndërsa ndodhen në gjendje të rëndë bashkëshortja e drejtuesit të mjetit dhe vajza 5-vjeçare.

Në mjetin tjetër tip ‘Fuoristradë’ u plagos drejtuesi Sokol Muja së bashku me një tjetër person. 

Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë dhe ato zjarrfikëse, për t’u ardhur në ndihmë personave të mbetur në automjete.

Policia po vijon punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe shkakut të aksidentit.

Njoftimi i policisë:

Më datë 18.02.2018, rreth ores 18:00, ne aksin rrugor Shkodër – Velipojë ka ndodhur një aksident, me pasoja.

Shërbimet e policisë kanë shkuar në vendngjarje, ku kanë konstatuar se ishin përplasur mjeti tip Alfa Romeo me targa AA474NJ me drejtues shtetasin E. P 40 vjeç, me mjetin Fuoristradë me targa AA 292 OL me drejtues shtetasin S.M.

Si pasojë e përplasjes ka humbur jetën drejtuesi i mjetit Alfa Romeo shtetasi E.P, djali i tij 9 muajsh R.P dhe vajza N. P. 10 vjeçe.

Po në mjetin Alfa Romeo udhëtonin edhe pjesetarët e tjerë të familjes bashkëshortja shtetësja  E. P. 36 vjeçe, dhe vajza A. P. 5 vjeçe, të cilat janë dërguar në urgjencën e Spitalit Rajonal Shkodër.

Në mjetin Fuoristradë me targa AA292OL, me drejtues shtetasin S.M, udhëtonte dhe shtetasi N. Gj, të cilet kanë marrë plagë të rënda dhe janë dërguar në urgjencën e Spitalit Rajonal Shkodër. 

Grupi hetimor po kryen veprimet për sqarimin e rrethanave të aksidentit.