Pas arratisjes të pazakontë të 28-vjeçarit Mikel Kasa nga ambientet e Gjykatës së Vlorës, kreu i këtij institucioni Skënder Haluçi ka dhënë detaje për ngjarjen, ndërsa ka thënë se ka mungesë të sigurisë në Gjykatë.

Haluçi tha se ka pasur vazhdimisht problem në ambientet e Gjykatës së Vlorës për mungesën e sigurisë dhe se Kasa është arratisur në momentin që u njoh me masën e dënimit prej 5 vitesh për akuzën e rrëmbimit të personit.

"Ka mungesë të sigurisë në Gjykatë. Kam kërkuar marrjen e masave për sigurinë e trupës së gjykatës dhe të qytetarëve prej kohësh. Në sallën e gjyqit janë vetëm dy punonjës policie dhe nuk ka asnjë forcë tjetër sigurie pavarësisht kërkesave që kam bërë prej 4 vitesh për përforcime. I arratisuri ka përshkuar korridoret e gjykatës dhe është përplasur vetëm me shoferin e gjykatës i cili ka tentuar ta ndalojë por pa rezultat."