Identifikohen autorët të cilët plagosën ditën e djeshme me armë zjarri një shtetas, në lagjen “Pavarësia” të Vlorës. Specialistët e Seksionit Kundër Krimeve ndaj Personit në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, në vijim të veprimeve hetimore për zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes së ndodhur ditën e djeshme, në lagjen “Pavarësia”, ku mbeti i plagosur me armë zjarri shtetasi Eraldo L. (D)., kanë bërë identifikimin dhe shpalljen në kërkim të autorëve të kësaj ngjarjeje.

Konkretisht janë shpallur në kërkim dhe po punohet intesivisht për kapjen e ndalimin e shtetasve:

N.Ç.,(T)., 34 vjeç, banues në Tiranë,
G.GJ., 28 vjeç, banues në Radhimë, 
M.A., 25 vjeç, banues në Babicë e Madhe.

Gjithashtu është bërë arrestimi i shtetasit të dëmtuar, Eraldo L. (D)., 30 vjeç, banues në Llakatund, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin e tij “Range Rover”, u gjetën dhe u sekuestruan 200 fara bimore kanabisi.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar një gëzhojë arme zjarri, 200 fara bime narkotike kanabisi dhe 2 automjete tip ‘Porsche’ e ‘Range Rover’.

Vijon puna për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje. Materialet hetimore iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprat penale “Plagosje e rëndë me dashje, kryer në bashkëpunim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe i municionit” për tre autorët dhe “Prodhimi, shitja e narkotikëve”, për shtetasin Eraldo.L.(D), të parashikuar nga nenet 88 e 25, 278/1 dhe 283 të Kodit Penal.