Klajdi Gjeçi, që konsiderohet si një nga miqtë e Emiljano Shullazit pritet të dalë përballë togave të zeza ku do të njihet me masën e “arrestit në burg” që do kërkojë prokuroria. Kjo e fundit pretendon se ka mbledhur prova bindëse ndaj Gjeçit, person ky me precedentë të theksuar kriminal dhe i implikuar në disa ngjarje.

Një burim pranë akuzës tha se dosja në ngarkim të Kajdi Gjeçit, i është transferuar gjykatës dhe se ndaj tij është kërkuar caktimi i masës së “arrestit në burg” për akuzën e “Vjedhjes” kryer në bashkëpunim dhe se ai është i dyshuar për akuzën e “Shkatërimit të pronës me eksploziv” ndaj biznesmenit të ndërtimit Ndue Rajta. Por pavarësisht veprimtarisë kriminale Klajdi Gjeci, ka mundur të dalë disa herë nga burgu në mënyrë të dyshimtë.

Klajdi Gjeçi njihet si pjesëtar i bandës së Emiljano Shullazit, ky i fundit njihet se ka influencë të madhe në gjyqësor dhe ka një sërë precendetësh penalë. Në vitin 2012 Gjeçi është proceduar për armëmbajtje pa leje, ndërsa në vitin 2015 për plagosje të lehtë me dashje. Në të dyja këto raste 31-vjeçari është lënë i lirë nga gjyqtari Kreshnik Omari, pasi çështjet ndaj tij janë pushuar.

Gjyqtari që fali 2 herë Klajdi Gjecin

Më 8 dhjetor 2011 Klajdi Gjeçi ka qenë person i dyshuar për vendosjen e eksplozivit në banesën e ish-zv/drejtorit të Policisë së Tiranës Dorian Muça. Në atë kohë, blutë e kryeqytetit kishin dyshime të forta se 31-vjeçari ka qenë i përfshirë në këtë ngjarje kriminale si anëtar i bandës së Shullazit. Kjo ka qenë arsyeja që policia shkoi për kontroll në banesën e tij dhe e arrestoi për armëmbajtje pa leje.

Por gjyqtari Kreshnik Omari me një vendim të çuditshëm vendosi ta falë, duke e lënë të lirë me pretendimin se policia duhet të kishte marrë urdhër gjykate për të kontrolluar shtëpinë e të dyshuarit. Sa i përket plagosjes së rëndë me dashje më 15 maj 2015, Klajdi Gjeçi u la i lirë sërish nga gjytari Kreshnik Omari, pasi i dhunuari Enton Nushaj tërhoqi padinë ndaj Gjeçit.

/Shqiptarja.com/