Ditën e sotme në Gjykatën e Krimeve të Rënda ka dhënë dëshminë babai i biznesmenit Jani Zakës, Fehmi Zaka. Në seancë mungoi Emiljano Shullazi, por ishin Gilmando Dani, Blerim Shullazi, Endri Zela dhe Endri Qyqja.

Fehmi Zaka ndryshoi dëshminë që ka dhënë më parë para prokurorisë, duke thënë se nuk e njihte Shullazin dhe se nuk ishte kërcënuar asnjëherë, as nga ai dhe as nga Dani.

Ai madje tha se i vetmi problem që ka pasur, ka qenë drejtpërdrejtë me Fatmir Sinanajn, që sipas tij nuk i jep hipotekën e parkingut që ia ka blerë 300 mijë euro.

Ai tha se nga kërcënimet që ka marrë i biri, është larguar jashtë vendit pa dhënë adresë dhe e telefonon një herë në gjashtë muaj me numër privat.

Në Prokurori Zaka ka thënë se ai është kërcënuar nga njerëzit e Shullazit, ndërsa ditën e sotme në seancë ai tha se nuk i njeh fare ata. /Panorama