Ndërhyrja në kohë e policisë ka parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të një konflikti me armë zjarri në qytetin e Elbasanit.

Konflikti me pronarin e një lokali "Lloto Sporti" i dajës, ka bërë që nipi i tij të qëllonte me kallashnikov në ajër pranë subjektit në fjalë.

Policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale armën e zjarrit Kallashnikov, ndërkohë që ka arrestuar në flagrancë Fatjon Pllumbin, 20 vjeç, lindur në Elbasan, banues në lagjen Shën-Koll Elbasan dhe Fjodor Beratin, 29 vjeç, banues në lagjen Shën-Koll Elbasan.

Ata dyshohen për kyrejen e veprave penale "Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe e municionit", "Kanosje", e kryer në bashkëpunim", "Prishje e Qetësisë Publike e kryer në bashkëpunim".

Arrestimi i tyre u bë për arsye se në bashkëpunim me njeri-tjetrin pas një konflikti për motive të dobëta me pronarin e një lokali "Lloto Sporti", A.B, 48 vjeç, e kanë kanosur këtë të fundit me armë zjarri kallashnikov dhe më pas kanë qëlluar në ajër në afërsi të lokalit.

Nga të shtënat nuk ka persona të lënduar.

Konflikti ka nisur fillimisht mes shtetasit Fjodor Berati me pronarin e lokalit dhe më pas nipi i Fjodorit, shtetasi Fatjon Pllumbi, ka marrë armën e zjarrit kallashnikov dhe ka qëlluar në ajër në afërsi të lokalit.

Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar arma tip kallashnikov me një karikator me 12 fishekë , si dhe dy gëzhoja.

Materialet në ngarkim të këtyre shtetaseve do t'i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprime të mëtejshme.