Një 56-vjeçar, baba i dy fëmijëve është arrestuar me akuzën se ka kryer veprime të turpshme me fëmijët dhe ka dhunuar bashkëshorten.

Ka qenë kjo e fundit që ka bërë kallëzim në komisariatin e qytetit, të martën.

Shyqyri M, 56 vjeç, banues në fshatin Alarup-Pogradec, u vu në pranga nga specialistët e Seksionit për Krimet në Komisariatin e Policisë Pogradec, njofton zyrtarisht Policia.

Bashkëshortja e 56-vjeçarit, T.M, 34 vjeçe ka thënë para uniformave blu se i shoqi ka ushtruar dhunë të vazhdueshme fizike e psikologjike ndaj saj. Gjithashtu sipas pretendimeve të gruas, Shyqyriu ka kryer veprime të turpshme me fëmijët e tyre të mitur, 5 dhe 7 vjeç. Raste këto të përsëritura, sipas 34-vjeçares.

Materialet për rastin i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Pogradec për veprat penale: “Dhuna në familje” dhe “Vepra të turpshme” parashikuar nga nenet 130/a/4 dhe 108 të Kodit Penal.