Detaje të reja janë zbuluar nga vrasja e çiftit të bashkëjetuesve të dielën në qytetin e Shkodrës. Sipas burimeve të afërta me hetimin, Boran Bercama dhe bashkëjetuesja e tij me të cilin kishte edhe një fëmijë, Silvi Ndoci, janë ekzekutuar me një breshëri automatiku rreth orës 1:15 minuta të natës dhe ata janë zbuluar nga kalimtarë të rastit më shumë se 5 orë më vonë.

Policia ka zbuluar nga kamerat e sigurisë se autorët e ngjarjes ishin dy. Megjithëse është i vështirë identifikimi i tyre, pamjet provuan se njëri prej autorëve ka qëlluar me breshëri ndaj çiftit, ndërsa i dyti e ka pritur në makinë.

Deri më tani mësohet se janë shoqëruar rreth 30 persona në lidhje me ngjarjen e rëndë. Në makinë me çiftin ishte edhe fëmija i tyre, Boris, i cili fatmirësisht ka shpëtuar i padëmtuar.

Boran Bercama dhe Silvi Ndoci u gjetën të vrarë mëngjesin e djeshëm rreth orës 06:40 minuta nga banorë të zonës të vdekur në makinë, ndërsa në prehrin e gruas ishte edhe fëmija. /tvklan.al