Boran Berçama dhe Silvi Ndoci, çifti që u ekzekutua me armë zjarri në një atentat mafioz në Shkodër, jetonin prej 7 muajsh në katin e tretë të një pallati në lagjen "Naim Gjylbegu", së bashku me djalin e tyre 1 vjeç e gjysmë.

Ngjarja u raportua rreth orës 06:40 të mëngjesit të sotëm por dyshohet se ekzekutimi i tyre ka ndodhur pak pas mesnate.

Policia gjeti në vendngjarje 20 gëzhoja plumbash. Boran Berçama mësohet se ka marrë një plumb në kokë ndërsa plumbat e tjerë në trup. Ndërsa bashkëjetuesja e tij është qëlluar vetëm në trup.

Skena e krimit, ish-efektivi tentoi të shpëtonte gruan dhe fëmijën

Nga skena e krimit e ndërtuar nga grupi i ekspertizës, mësohet se ish-efektivi në momentin që ka parë personin/at të qëllojnë në drejtim të tyre, ka tentuar të mbrojë bashkëjetuesen dhe fëmijën e tij, duke i mbuluar me trup.  Fatmirësisht plumbat nuk kanë kapur fëmijën i cili ka qenë në gjumë momentin e ngjarjes. Ai është dërguar në spitalin e Shkodrës rreth orës 06:40 ku më pas është marrë nga familjarët e Berçamës. Ndërkohë rreth orës 09:30, trupat e dy viktimave janë dërguar në morg.

Berçama ishte tërhequr nga policia, emigroi në Francë

Që në nisje të vettingut, Berçama nuk ishte më pjesë e policisë së shtetit pasi ishte tërhequr nga detyra që mbante si efektiv. Ai ka shërbyer për një periudhë kohë në rrethin e Pukës, në bashkinë e Fushë Arrëzit. Për një periudhë kohe të shkurtër kishte emigruar në Francë dhe më pas ishte rikthyer në Shkodër ku prej 7 muajsh jetonte në katin e tretë të një pallati në lagjen "Naim Gjylbegu" me bashkëshorten e tij, edhe pse zyrtarisht nuk kishin bërë celebrimin, dhe djalin.

Policia sekuestron kamerat e sigurisë së subjekteve përreth

Policia ka siguruar pamjet filmike të disa subjekteve përreth, me shpresën se do kenë arritur të kapin autorët e vrasjes. Ekzekutimi dyshohet të ketë ndodhur pas mesnate. Është shfrytëzuar një nga momentet ku zona ka pak lëvizje, pasi është një zonë tregtare.

Ka qenë banorët e zonës që kanë parë ngjarjen në orët e para të mëngjesit të kësaj të diele. Mendohet se kanë qenë pikërisht të qarat e fëmijës që kanë vënë në lëvizje banorët që më pas kanë njoftuar policinë.

Policia ka shoqëruar në komisariat për marrjen në pyetje dëshmitarët në vendngjarje dhe familjarët e viktimës.

Nga mënyra sesi policia e ka gjetur çiftin brenda automjetit, shënjestër e atentatit ka qenë Bërçama dhe bashkëshortja dyshohet se ka humbur jetën nga plumbat që kanë goditur bashkëshortin e saj, të cilët kanë depërtuar në trupin e saj.

Drejtuesit më të lartë të policisë së Shkodrës në bashkëpunim me prokurorët e rrethit janë angazhuar në hetimet për krimin e rëndë. /oranews