Zbardhen të tjera detaje nga pengmarrja dhe dhunimi i një 33-vjeçari nga Durrësi.

Më herët, DurrësLajm, duke iu referuar policisë, njoftoi se 33-vjeçari K.P. ishte marrë peng për disa orë dhe ishte dhunuar nga dy vëllezërit J.N. dhe Xh.N. me makinën e shokut të tyre Gj.Q. nga Tirana.

Mësohet se shtetasi i marrë peng është një biznesmen që operon në sektorin e ndërtimit. Shkak për pengmarrjen dhe dhunimin e 33-vjeçarit është bërë një borxh prej 13 mijë eurosh që u kishte dy vëllezërve nga Durrësi.

Mësohet se shkak për pengmarrjen është bërë moslikujdimi i shumës së një apartamenti që dy vëllezërit J.N dhe Xh.N ia kishin shitur.

Pasi është liruar nga pengmarrësit e tij, biznesmeni ka denoncuar ngjarjen në polici.

Policia shpalli në kërkim dy vëllezërit nga Durrësi, ndërsa arrestoi ditën e sotme pronarin e mjetit të përdorur gjatë pengmarrjes. 

Njoftimi i policisë:

Më datë 16.04.2018, u arrestua në flagrancë shtetasi Gj.Q. 30 vjeç, banues Yzberish, Tiranë, si dhe u bë shpallja në kërkim policor dhe po punohet për kapjen e shtetasve J.N. dhe Xh.N. banues në Durrës, sepse në bashkëpunim me njëri-tjetrin,  me mjetin në pronësi të shtetasit Gj.Q., e kanë marrë pa dëshirë në mjet duke e dhunuar fizikisht shtetasin K.P.  33 vjeç, banues në Durrës pasi ky shtetas i ka lekë borxh dy vëllezërve. Neni 110/2 i Kodit Penal.